AktualitetBota+Të fundit

Dymbëdhjetë ushtarë amerikanë në mesin e viktimave në Kabul

Kreu i Komandës Qendrore të Ushtrisë së SHBA-së, gjenerali, Kenneth McKenzie, tha se 12 ushtarakë amerikanë ishin në mesin e atyre që u vranë nga dy shpërthime që ndodhën pranë aeroportit t Kabulit të enjten (26 gusht).

Sipas McKenzie vlerësohet se sulmuesit vetëvrasës ishin nga grupi ekstremist Shteti Islamik (IS).

“Sulmi u pasua nga disa të shtëna në drejtim të civilëve dhe forcave ushtarake nga ana e një numri të pjesëtarëve të armatosur të ISIS-it”, tha McKenzie.

Ai tha se një numër civilësh afganë u vranë dhe u plagosën në sulm, mirëpo nuk dha një shifër.

Organizata joqeveritare “Emergency” raportoi se të paktën gjashtë persona u sollën të vdekur në spitalin e saj në Kabul, së bashku me rreth 60 të plagosur.

Mijëra njerëz ishin mbledhur para aeroportit në përpjekje për të ikur nga Afganistani pavarësisht paralajmërimeve për një kërcënim “shumë të besueshëm” të një sulmi terrorist.

Një zëdhënës taliban ka thënë se të paktën 13 persona janë vrarë dhe 52 të tjerë janë plagosur në sulmin në aeroportin e Kabulit. Zyrtari tha se në mesin e viktimave kishte gra dhe fëmijë dhe se një numër i rojeve talibane ishin plagosur. Ky informacion nuk është konfirmuar.

Më herët, Shtetet e Bashkuara dhe vendet e tjera perëndimore i paralajmëruan qytetarët e tyre që të largohen menjëherë nga zonat përreth aeroportit të Kabulit, për shkak të kërcënimeve për një sulm terrorist.

Evakuimet nga Afganistani po vazhdojnë, tha gjenerali McKenzie, duke shtuar se rreth 1.000 qytetarë amerikanë vlerësohet të jenë ende në Afganistan.

Vendet po nxitojnë t’i evakuojnë njerëzit deri në afatin e 31 gushtit. Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, ka caktuar 31 gushtin si afat për përfundimin e evakuimit të njerëzve dhe të tërheqjes së trupave amerikane, që ruajnë aeroportin.

Biden ka përmendur kërcënimet terroriste nga dega rajonale e grupit militant Shteti Islamik si arsye për mbajtjen e këtij afati.

Qëkur talibanët kanë hyrë në Kabul më 15 gusht, Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e tyre kanë evakuuar më shumë se 88,000 njerëz, përfshirë 19,000 në 24 orët e fundit.

 

Fraksion.com