AktualitetEkonomiTë fundit

Balluku: Trafiku ajror në Shqipëri ka tejkaluar edhe parashikimet

Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjetikës, Belinda Balluku mori pjesë sot në mbledhjen e 70-të të drejtorëve të Përgjithshëm të Aviacionit Civil të Konferencës Evropiane të Aviacionit Civil (ECAC), që u zhvillua në Tiranë, me pjesëmarrjen e 44 shteteve anëtare dhe disa organizatave të rëndësishme.

“Pandemia ka treguar qartë se askush nuk është i paprekshëm nga ngjarje të cilat janë të  paparashikueshme. As një industri e fortë avangardë, e bazuar mbi plane kontigjence, nuk arriti që të mbetej e paprekshme nga pandemia. Fatkeqësisht u vumë të gjithë përpara një  sprove, e cila krijoi problematika jo të vogla dhe na tregoi të gjithëve sa e vështirë është të përballesh me mungesën e aviacionit”, tha Balluku duke marrë fjalën në takim.

Ministrja theksoi se përballë kësaj situate të gjithë qytetarët kuptuan rëndësinë që ka industria e aviacionit si në aspektin e pasagjerëve, kargo apo fusha të tjera që prek.

“E pamë me sytë tanë si është të mos ketë më aviacion se çdo të thotë që shtetet të mos lidhen mes tyre përmes ajrit dhe ç’do të thotë që të gjitha ato pajisje fluturuese të qëndrojnë për kohë të tëra në tokë. E kemi ndjerë të gjithë këtë periudhë shumë të vështirë”, u shpreh ministrja teksa vuri në dukje se, “sot jemi të ulur në këtë tryezë duke respektuar protokollet ndaj COVID-19″, duke qenë se Shqipëria është një nga vendet që e ka përballuar më me sukses këtë pandemi, falë edhe mbështetjes së qytetarëve në respektimin e masave COVID-19”.

“Nga fillimi i korrikut të këtij vitit, trafiku ajror në Shqipëri ka tejkaluar edhe parashikimet që kemi pasur, çka na bën shpresëplotë se duke punuar së bashku mund të arrijmë në nivelet ku ishim më parë. Kjo nuk na bën të harrojmë ato me të cilat u përballëm dhe vështirësitë duke nisur nga humbjet e mëdha në këtë fushë dhe impaktin që patëm në burimet tona njerëzore” theksoi ministrja gjatë fjalës së saj.

Balluku shprehu besimin se, kush punon në aviacion, nuk punon vetëm për një pagë, por ka pasion dhe e do aviacionin.

Balluku informoi se “pavarësisht periudhës së vështirë, ne kishim nisur një plan agresiv dhe afatgjatë për ngritjen dhe modernizimin e aviacionit në Shqipëri, një plan që e kemi hedhur hap pas hapi në bashkëpunim me Eurokontroll”.

“Në prill të këtij vitit ne arritëm në Shqipëri të hapim aeroportin ndërkombëtar të Kukësit, i cili sot ndodhet në operim të plotë, i cili nuk u ndërtua me konceptin thjesht për Shqipërinë, por që të jetë një aeroport rajonal, që ofron shërbime edhe për shqiptarët e Kosovës, e të Maqedonisë së Veriut”, tha Balluku.

Ministrja deklaroi, se pas shumë studimesh fizibiliteti, ambientale ne vendosëm të hapnim garën ndërkombëtare për të ngritur në Vlorë, aeroportin më të madh ndërkombëtar në Shqipëri i cili do të mbulojë edhe shërbimet kargo dhe ato të mirëmbajtjes së avionëve duke i  dhënë këtij sektori një hov të ri dhe duke krijuar vende të reja pune dhe krijuar specialistë të rinj dhe duke u bërë më i dobishëm në rajonin tonë.

“Pavarësisht se gara u shty, ne arritëm të kryenim një garë të suksesshme e cila pati një konsorcium fitues që ka nisur nga puna dhe në muajin nëntor do të fillojnë punimet në terren. Të gjitha këto hapa janë hedhur gjatë pandemisë dhe kjo na bën shpresëplot se me rikthimin e fluturimeve siç i kishim më parë ne do t’ia dalim t’i japim Shqipërisë atë që meriton. Shqipëria europiane meriton një aviacion modern dhe bashkëkohor”, tha Balluku.

 

Fraksion.com