Largimi i Najada Çomos: Ja cila zonjë zë vendin në Parlament
Dorëheqja e Najada Çomos nga mandati i deputetes bën që Partia Socialiste ta zëvendësojë me një emër tjetër në listën e zgjedhjeve të 25 prillit.
Lajmi për dorëzimin e mandatit të Çomos u bë i ditur nga kryeministri Edi Rama, i cili tha se ajo ka vendosur t’i përkushtohet punës në Spitalin Infektiv kundër koronavirusit. Ndërkohë, në karrigen e deputetes do të ulet një tjetër socialist.
Në bazë të kodit zgjedhor, një deputet që i përket shtresës më pak të përfaqësuar në Parlament (në këtë rast gratë) lë mandatin për një arsye të caktuar, ky mandat i shkon një tjetër kandidati të po kësaj shtrese, në bazë të votave të mbledhura.
Referuar ligjit, vendin e Najada Çomos do ta zërë në Kuvend Mimi Kodheli, e cila vjen e para në listën e socialistëve dhe që ka mbledhur më shumë vota.
Ish-ministrja e Mbrojtjes, Mimi Kodheli, e renditur në vendin e 21 në listën e PS për Tiranën, mori vota preferenciale, por jo mjaftueshëm për të thyer herësin dhe për të marrë mandatin e deputetit.
Si një nga gratë më të votuara në listën e PS për Tiranën, Kodheli u rirendit në vendin e 20 në këtë listë në bazë të votave preferenciale, ndërsa me largimin e Çomos, që ishte e dyta në listë, ajo pritet të futet në Parlament.
Mimi Kodheli, ndërkohë është zëvendëspreside e Asamblesë Parlamentare të NATO-s.
Çfarë thotë Kodi Zgjedhor:
Mandati i ndërprerë i deputetit ose i anëtarit të këshillit të bashkisë i kalon kandidatit vijues të listës së të njëjtës parti politike në zonën zgjedhore përkatëse, përveçse kur plotësimi i vakancës me kandidatin e radhës ul përfaqësimin e gjinisë së nënpërfaqësuar. Në këtë rast plotësimi i vakancës bëhet nga kandidati i parë në listë i gjinisë së nënpërfaqësuar pavarësisht renditjes në listë. Emrat e tjerë të asaj gjinie ngjiten në listë duke marrë renditjen e kandidatit paraardhës të së njëjtës gjini. Ky rregull nuk zbatohet kur emrat e gjinisë përkatëse kanë shteruar.
Fraksion.com