AktualitetPolitikëTë fundit

“Do të vijnë rreth 4 mijë, afganë”; Rama për CNN: Nuk mund t’ia mbyllnim dyert në një kohë si kjo

Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama, ka dhënë këtë të mërkurë një intervistë për gazetaren e CNN, Biana Golodryga. Kreu i qeverisë foli për ardhjen e afganëve në vend dhe nënvizoi se duhet t’u jepnim strehë e besim në këtë moment krize.

“Shqipëria po përgatitet për të mirëpritur rreth 4 mijë afganë”, deklaroi Kryeministri Edi Rama.

Rama tha se “ne ishim të parët që dolëm e thamë se jemi të gatshëm të mirëpresim njerëzit që kanë punuar me ne dhe po punojmë ngushtë me një sërë organizatash amerikane”.

“Për momentin po punojmë për listat që po na sjellin dhe ndërkohë që flasim mund të numërojmë rreth 2 mijë të listuar dhe 2 mijë të tjerë për të cilët po punojmë për tu përgatitur për t’i mirëpritur. Kështu që do të ketë rreth 4 mijë afganë”, tha Rama.

Kryeministri theksoi se “kjo ka të bëjë me atë çka ne jemi, ka të bëjë gjithashtu edhe me të qenit anëtare e NATO-s dhe me përmbushjen e përgjegjësisë për të vepruar si pjesë e NATO-s”.

“Ndërkohë që për fat të keq jo çdokush po shkon në këtë drejtim. Ne kemi bërë përpara saktësisht sepse kjo është historia jonë. Shqipëria ka qenë i vetmi vend në Evropë që kishte më shumë hebrenj pas Luftës së Dytë Botërore sa në fillimet e saj. Në fakt, Shqipëria ka qenë në një regjim mizor komunist. Kishim talebanët tanë të kuq dhe e dimë saktësisht çdo të thotë të jetosh me ta, dhe është kështu se në fund të fundit, u detyrohemi fëmijëve tanë. Fëmijët tanë duhet ta kalojnë këtë përvojë dhe të jenë mjaft të vetëdijshëm se në këtë botë ka një kohë kur merr dhe një kohë kur jep”, shtoi Rama.

Kryeministri mohoi që të ketë shtetas shqiptarë që kanë mbetur pas në Afganistan, ndërsa tha se “ne mirëpresim afganët”.

“Jo, nuk ka shtetas shqiptar që kanë mbetur atje dhe jemi gati të mirëpresim afganët që besuan te ne si NATO, që punuan me ne dhe që ne nuk mund të mos i ndihmojmë ndërkohë që rrezikojnë të vdesin. Është çështje jete a vdekje për ta dhe është një çështje shumë e madhe morale për të gjithë ne si Aleancë e NATO-s”, shtoi ai.

I pyetur lidhur me faktin se jo të gjithë anëtarët e NATO-s po marrim përgjegjësinë e tyre, Rama tha se “ne nuk jemi në kohën për të ngritur të gjitha çështjet që duhen ngritur dhe të gjejmë përgjigjen që duhet gjetur për të ardhmen e vetë organizatës”.

“Kjo është koha për të menduar për ata që gjenden midis jetës e vdekjes. Shqipëria nuk është nga vendet më të pasura, kjo është e ditur gjerësisht, por ne kemi një kujtesë dhe shumë fort besojmë se është në nderin e të gjithë anëtarëve të NATO-s dhe të të gjithë kësaj bashkësie vendesh të cilat kanë nxitur me forcën e shembullit dhe mbrojtur me shembullin e forcës, vlerat për të cilat ne qëndrojmë. Në të kundërt, rrezikojmë që NATO-ja vetë të zbehet në sytë e kaq shumë njerëzve në mbarë botën që kërkojnë liri, demokraci, të drejtat e njeriut, trajtim të barabartë për gratë. Jo vetëm NATO, por edhe kjo pjesë e jona e botës bazohet në këto parime”, tha Rama.

Kryeministri theksoi se është shumë, shumë e qartë se jemi sfiduar në mënyrë të tillë siç nuk jemi sfiduar kurrë më parë.

“Jo nga ndonjë kundërshtar apo nga ndonjë forcë që është kundër nesh, por nga vetja jonë. Sfidohemi ose të qëndrojmë për atë çka i themi botës se jemi, ose për zgjedhjet e ardhshme aty-këtu. Jemi midis sondazheve dhe objektivave dhe besoj se ky është një objektiv i madh tek i cili nuk mund të dështojmë”, tha ai.

Kryeministri theksoi se “Shqipëria është një vend i vogël, por nuk ka rëndësi”.

“Nuk ka të bëjë me madhësinë, nuk ka të bëjë me pasurinë, nuk ka të bëjë me forcën. Ka të bëjë me atë çka ne jemi, ka të bëjë me faktin që qëndrojmë për diçka që është thelbësisht e rëndësishme për të ardhmen e shoqërive tona, thelbësisht e rëndësishme për fëmijët tanë. Ne kemi përjetuar luftën, ne kemi parë njerëz të vdesin. Kemi parë 500 mijë refugjatë lufte që lëvizën nga Kosova simotër në tokën tonë. Pra, edhe pse ne ishim në një situatë shumë më të vështirë ekonomike dhe financiare se sa sot, pritja e 500 mijë njerëzve në një popull prej 3 milionësh, me sipërfaqe 28 mijë kilometër katror, nuk na bëri të zhdukemi nga faqja e tokës, nuk na bëri të vdisnim urie, por mendoj se na bëri më të pasur moralisht. Kështu që mendoj se është e rëndësishme, sepse në të kundërt kush do të ketë besim në botën tonë te NATO-ja, te fjalët tona dhe tek gjithçka ne përpiqemi të promovojmë përtej hemisferës së vendeve demokratike, nëse ne nuk i mbështesim këta njerëz”, vijoi Rama.

I pyetur nëse Shqipëria është e gatshme t’i pranojë këta qytetarë në mënyrë të përhershme, Rama tha se “ata do të jenë miqtë tanë, nëse duan të qëndrojnë janë të mirëpritur të qëndrojnë”.

“Nuk është çështja nëse jam i gatshëm, është çështja se ky është një vend ku kushtetuta e parë, Kanuni i më shumë se 100 viteve më parë në paragrafin e parë kishte të shkruar ‘Shtëpia e shqiptarit i përket Zotit e mikut’”, shtoi Rama.

Rama tha se faqja më e ndritur e historisë së refugjatëve është faqja që shkroi Angela Merkel duke qëndruar e duke i hapur krahët atyre njerëzve të dëshpëruar. “Duke e bërë këtë gjë, Angela Merkel i shpëtoi nderin Evropës asaj kohe. Së dyti, ne i njohim dhe i respektojmë kufizimet, respektojmë debatet, respektojmë nevojat dhe interesat e të gjithë miqve dhe aleatëve tanë dhe nuk kemi ndërmend t’i bëjmë leksione askujt, por nuk e kuptoj realisht çfarë nënkupton 20 mijë afganë në 5 vjet? Çfarë do të thotë kjo? Me shpresën se në 5 vjet talebanët do të tregohen të mëshirshëm me ta dhe nuk do t’i lëndojnë? Nuk e kuptoj këtë. Unë nuk diskutoj shifrat, sepse në fund të fundit nuk është fjala për shifra të larta ose të ulëta, por është fjala për disponibilitet apo mungesë disponibiliteti. Unë po diskutoj kohën”, tha Rama.

Ndoshta, vijoi ai, “sepse ne patëm fatkeqësinë dhe fatmirësinë të dimë se çfarë do të thotë të jetosh në një regjim shumë të ngjashëm me atë të talebanëve”. “Ne ishim Koreja e Veriut e Evropës për 50 vjet; ne kemi parë luftën; ne 30 vjet më parë ishim afganët që i iknim ferrit në të cilin ishim mbyllur në gjysmë shekulli. Në fakt, vëllezërve e motrave të sotëm italianë u dukeshim si alienë kur u afroheshim kufirit të tyre detar. Tashmë ne jemi plotësisht të integruar atje. Italia po përfton shumë nga ky integrim dhe shqiptarët po përfitojnë shumë nga të qenit të integruar atje. Kështu që, asokohe ne kishim nevojë të merrnim dhe morëm. Kur vjen koha për të dhënë, duhet të japim. Kjo është ajo që na ka mësuar jeta. Kur nuk je shumë i pasur, kujtesa mbetet ende shumë e pasur”, tha Rama.

Rama tha se “duke u tërhequr nga Afganistani, së paku jemi të detyruar t’u japim strehë”.

“Unë jam katolik, bashkëshortja ime është myslimane, dy fëmijët e mëdhenj nga martesat e mëparshme janë ortodoks dhe kemi një të vogël që mund të zgjedh të jetë hebre, i takon atij. Por këtu bëhet fjalë për njerëz, jo për etiketa që lidhen me ngjyrat, me kulturën, me besime. Ka të bëjë me njerëz të cilët i besuan asaj çka ne i besuam 30 vjet më parë, kur i ikëm ferrit të talibanizmit të kuq. Për ne shkoi mirë sepse ishim në mes të Evropës. Për ata nuk mund të shkoj mirë nëse Europa dhe SHBA nuk do të gjenden. Duke u tërhequr, së paku jemi të detyruar t’u japim strehë. U detyrohemi dhe jo vetëm për ta, por kjo ka të bëjë edhe me fëmijët tanë, ka të bëjë me brezat e rinj në këtë pjesë të botës dhe në pjesë të tjera të botës. Si do të na shohin nëse ne i lëmë në baltë këta njerëz? Çfarë do të mendojnë për ne, kur ne të vazhdojmë të predikojmë idealizma, vlerat që kemi promovuar kaq shumë”, tha më tej Kryeministri.

Duke u kthyer pas në kohë, Rama tha se “unë nuk e kisha mendjen te politika kur dola në rrugë për të qenë aty me të gjithë të tjerët dhe për të kërkuar ndryshimin e regjimit këtu”.

“Ishte për shkak të kufizimeve në veprimtaritë artistike që ndjeva nevojën për liri e po kështu ishte për shqiptarët e asaj kohe. Duke kaluar dhe duke parë listën që ne kemi marrë, duke parë emrat e njerëzve, profilet e tyre, mund të shihja artistë, gazetarë, kineastë, e gjithashtu edhe yje filmash. Mund të shihja gjithashtu edhe fytyra që ndoshta i kemi njohur përmes Netflixs e filmave. Si mund t’ i lëmë këta njerëz në baltë? Si mund t’ua mbyllim përgjithnjë dritaren e krijimtarisë dhe të ëndrrave e shpresave këtyre njerëzve duke u thënë ‘në 5 vitet që vijnë do të përpiqemi t’ju nxjerrim që andej’. Ndërkohë që e dimë shumë mirë që për ta ka një litar të errët të përgatitur për të varur të gjitha ëndrrat, shpresat, e madje dhe ata vetë”, tha Kryeministri.

 

Fraksion.com