Stoltenberg: NATO do të vazhdoë mbështetjen për Afganistanin
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, tha të premten (13 gusht) se aleanca do të vazhdojë prezencën e saj civile diplomatike në Afganistan dhe se do të vazhdojë të mbështes trupat afgane në përballjen e tyre me ofensivën e talibanëve.
“Qëllimi ynë është që sa më shumë që të mundemi të mbështesim qeverinë dhe forcat e sigurisë afgane. Parësore është siguria e personelit tonë. NATO do të mbajë praninë tonë diplomatike në Kabul dhe do të vazhdojë të përshtatet sipas nevojës”, tha Stoltenberg, në një deklaratë pas një takimi të përfaqësuesve të NATO -s.
Deklarata e Sekretarit të Përgjithshëm të NATO -s për Afganistanin
“Aleatët e NATO -s u takuan sot në Këshillin e Atlantikut të Veriut për të konsultuar mbi situatën në Afganistan. Ne vazhdojmë të vlerësojmë zhvillimet në terren dhe jemi në kontakt të vazhdueshëm me autoritetet afgane dhe pjesën tjetër të bashkësisë ndërkombëtare.
Qëllimi ynë mbetet të mbështesim qeverinë afgane dhe forcat e sigurisë sa më shumë që të jetë e mundur. Siguria e personelit tonë është parësore. NATO do të ruajë praninë tonë diplomatike në Kabul dhe do të vazhdojë të përshtatet sipas nevojës.
Aleatët e NATO -s janë thellësisht të shqetësuar për nivelet e larta të dhunës të shkaktuara nga ofensiva e talebanëve, përfshirë sulmet ndaj civilëve, vrasjet e synuara dhe raportet për abuzime të tjera serioze të të drejtave të njeriut. Talibanët duhet të kuptojnë se ata nuk do të njihen nga bashkësia ndërkombëtare nëse e marrin vendin me forcë. Ne mbetemi të përkushtuar për të mbështetur një zgjidhje politike të konfliktit.”
Talibanët kanë marrë kontrollin e një sërë kryeqytetesh rajonale gjatë një ofensive që e nisën menjëherë pasi forcat e huaja, në muajin maj, filluan tërheqjen nga Afganistani.
Shtetet e Bashkuara dhe Britania e Madhe njoftuan të enjten se do të dërgojnë mijëra trupa në Afganistan për të evakuuar qytetarët e tyre.
Të premten u njoftua se ka filluar dislokimi i rreth 3 mijë trupave amerikane.
“Situata në Afganistan është katastrofike”, tha një diplomat perëndimor për AFP-në.
Aleatët e NATO -s, Danimarka dhe Norvegjia njoftuan se do të mbyllnin përkohësisht ambasadat e tyre në Kabul.
Kryengritësit morën kontrollin në Kandahar, qyteti i dytë më i madh i Afganistanit dhe gjithnjë e më shumë janë duke iu afruar kryeqytetit Kabul.
Disa agjenci raportojnë se është çështje kohe se kur do të nisë ofensiva e talibanëve për të marrë kontrollin e kryeqytetit.
Qeveria afgane tani ka humbur kontrollin e pjesës më të madhe të vendit.
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden tha gjatë kësaj jave se nuk është penduar për vendimin e tij për tërheqje të trupave nga Afganistani duke theksuar se Uashingtoni ka shpenzuar më shumë se 1 trilionë dollarë në luftën më të gjatë të SHBA-së si dhe ka humbur mijëra trupa.
Talibanët kanë qenë duke strehuar atëbotë Osama Bin Laden dhe figura tjera të Al-Kaidës, të lidhura me sulmet terroriste të 11 shtatorit të po atij viti në Shtetet e Bashkuara.
Presidenti amerikan Joe Biden ka thënë se tërheqja amerikane tani është e arsyeshme, pasi forcat amerikane janë siguruar që Afganistani nuk do të bëhet më bazë për xhihadistë të huaj që të kryejnë komplote kundër Perëndimit.
Fraksion.com