Deti i Zi, “Perdja e re Hekurt” mes Lindjes dhe Perëndimit
Nga Emanuel Pietrobon
Deti i Zi është vendi ku që nga kohërat më të lashta, vazhdimisht ndeshen mes tyre fuqitë dhe civilizimet për të përcaktuar fatin e Evropës dhe Azisë. I pozicionuar midis botës evropiane, ruse dhe turke, duke qenë dëshira e të gjithëve, por fusha ekskluzive e askujt, Deti i Zi është ai lloj “teatri” që shpesh dhe me qëllim ka vepruar si një valvul e fuqishme shkarkimi tëtensioneve gjeopolitike dhe e nervozizmit të akumuluar diku tjetër.
Historiku luftarak i atij që grekët e lashtë kishin pagëzuar me emrin, Pontos Éuxeinos, Deti Mikpritës, është prova konfirmuese e funksionit të vazhdueshëm si një valvul shkarkimi e Detit të Zi: betejat mes rusëve dhe bizantinëve, luftërat ruso-turke, Lufta e Krimesë, roli i luajtur gjatë 2 luftërave botërore, dhe përshkallëzimi i fundit i këtij viti.
Ngjarjet që po ndodhin tani duket se sugjerojnë që pozita qendrore e Detit (jo)Mikpritës, është e destinuar të forcohet gjatë viteve të ardhshme, për shkak të Luftës së re të Ftohtë, rilindjes perandorake të Turqisë, dhe qenies së kësaj të fundit si një mur i palëvizshëm kundër ekspansionit të gjerë rus.
Pasi, kush ka çelësat e Detit të Zi, kontrollon Ballkanin Lindor, Kaukazin dhe Anadollin, dhe kush komandon këto dy të fundit, ka si fat të pashmangshëm dominimin në Detin Kaspik, dhe bashkë me të Azinë Qendrore. Për arsyet e mësipërme Deti i Zi është shndërruar në “Perden e Hekurt” në kapitullin e ri të Luftës së Ftohtë.
Një “Perde e Hekurt” detare
Ky term është përdorur për herë të parë nga Frederick Benjamin Hodges, ish komandant i përgjithshëm i Ushtrisë së Shteteve të Bashkuara në Evropë, përgjatë një interviste përgazetën rumune “Digi24” dhënë në datën 20 prill.
Dhe ngjarjet e këtij fillim–viti, duket se i japin të drejtë Hodges: Kremlini e ka mbyllur Ngushticën e Kërçit për kalimin e flotave të huaja ushtarake deri në tetor të këtij viti, teksa po e forcon mbrojtjen detare të Krimesë.
Britania e Madhe synon të dërgojë dy luftanije muajin tjetër, ndërsa Turqia do të donte të rishikonte ekuilibrin aktual të fuqisë duke e tejkaluar Konventën e Montrosë. Një pjesë e stërvitjes së madhe “Defender Europe 21” e NATO-s do të zhvillohet pikërisht këtu.
Hodges nuk ka dyshime se përse Deti i Zi është bërë një nga fushat kryesore të betejës midis Perëndimit dhe Lindjes:“Rusia dëshiron që të kontrollojë të gjithë rajonin bregdetar të Ukrainës, nga Odesa në Krime, përmes Detit Azov”.
Objektivat e Shteteve të Bashkuara, lëvizjet e së cilës në rajon drejtohen dhe legjitimohen nga ngjarjet si kjo e fundit, kanë të bëjnë me parandalimin e izolimit të Ukrainës nga Deti i Zi, dhe pengimin e Rusisë për të përmirësuar aftësinë e saj për ta kontrolluar këtë zonë.
Gjenerali në pension, që e përmbledh vëmendjen aktuale në rritje në Detin e Zi në termat e “Perdes së re të Hekurt”, është i bindur se Kremlini nuk do të kishte “asnjë problem nëse do të përdorte forcë kundër Moldavisë, Ukrainës dhe Gjeorgjisë“, dhe nga këtu lind riorientimi strategjik i gjilpërës së busullës së Aleancës Atlantike, dhe në veçanti i Shteteve të Bashkuara.
Roli franko-gjerman
Ashtu si në kohën e Luftës së Ftohtë, Evropës i kërkohet tani të shprehë një pozicion të qartë brenda këtij konfrontimi hegjemonik. Dallimi, krahasuar me pjesën e dytë të shekullit XX, është se Gjermania ka pushuar së qeni “zemra” e ndarjes në blloqe, dhe se përparësia e saj hegjemoniste mbi Kontinentin e Vjetër, ndahet në mënyrë të barabartë me Francën.
Dhe pikërisht këtyre, Berlinit dhe Parisit, u dërgon një mesazh gjenerali Hodges: “Ky është momenti në të cilin ata duhet të dëshmojnë se kanë aftësitë e tyre drejtuese”.
Pasi, si “motori i Bashkimit Evropian”, ata kanë për detyrë të ushtrojnë presion mbi Rusinë në lidhje me çështjen e Donbasit dhe mbrojtjen e Ukrainës. Sipas ish-gjeneralit “Parisi dhe Berlini janë kryeqytetet e vetme që mund të ndikojnë mbi sjelljen e Kremlinit, për shkak të investimeve të mëdha ekonomike që ato përfaqësojnë”, dhe suksesi i Perëndimit në këtë lojë vendimtare varet nga përfshirja e tyre.
Roli i Bukureshtit dhe Ankarasë
Shtetet evropiane duhet të dinë se ku dhe si të rreshtohen, pasi po rishfaqet Lufta e Ftohtë. Prandaj janë edhe thirrjet ndaj vendimmarrësve kryesorë hezitues, përkatësisht Parisit dhe Berlinit, por edhe atyre që do të kenë role po aq të rëndësishme, përkatësisht Bukureshtin dhe Ankarasë.
Hodges shpjegoi se administrata e Joe Biden do të jetë në gjendje të mbrojë sovranitetin dhe integritetin territorial të Ukrainës, vetëm duke riparuar marrëdhëniet me Turqinë, pasi ajo është “një vend shumë i rëndësishëm në rajon, dhe një aleate e vjetër”.
Ai konfirmoi një skenar të përshkruar nga nëntorin e vitit të kaluar: Shndërrimi i Rumanisë në shtyllën kurrizore të Aleancës Atlantike në Ballkan. Oficeri në pension e përcaktoi Bukureshtin si “qendra gravitacionale në çdo lloj strategjie” që do të formulohet në Uashington, pasi ky vend është i ankoruar fort tek Atlantizmi, dhe ka një pozitë gjeostrategjike.
Ndaj, ai shpreson dhe beson se në vitet ardhshme pikërisht atje do të shkojnë investimet ekonomike, pra “në kompanitë dhe infrastrukturën rumune”. Në përmbledhje, në krahasim me të kaluarën, fati i betejës së fundit në rivalitetin e përjetshëm midis Perëndimit dhe Rusisë nuk do të shkruhet ekskluzivisht në Kontinentin e Vjetër, që tani është thuajse plotësisht i vulosur dhe i siguruar nga Shtetet e Bashkuara falë Bashkimit Evropian dhe NATO-s, por edhe në Detin e Zi, një pikë e përplasjes midis civilizimit dhe “Perdes së Hekurt” të Luftës së re të Ftohtë./Il Giornale
Fraksion.com