Më në fund qeveria gjermane mbështet Ballkanin e Hapur: Çdo bashkëpunim rajonal është i dobishëm
Gjermania e ka mbështetur hapur iniciativën e re në rajon ”Open Balkan”.
Në një përgjigje për mediet e Kosovës, qeveria gjermane prononcohet se çdo bashkëpunim rajonal në Ballkanin Perëndimor është i dobishëm dhe e rëndësishme është të jetë gjithëpërfshirës.
Në një përgjigje ekskluzive për Gazetën Express nga qeveria federale e kancelares Angela Merkel, kanë thënë se çfarëdo bashkëpunimi rajonal në Ballkanin Perëndimor është fitimprurës. Nga Gjermania gjithashtu theksojnë se bashkëpunimi duhet të jetë gjithëpërfshirës dhe i hapur për të gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor.
“Çfarëdo bashkëpunimi rajonal në Ballkanin Perëndimor është i dobishëm. Në të njëjtën kohë, është e rëndësishme që bashkëpunimi të mbetet gjithëpërfshirës dhe i hapur për të gjashtë vendet në rajon. Kjo është arsyeja pse ne e mbështesim fuqishëm Planin e Veprimit për Tregun e Përbashkët Rajonal”, ka thënë për Gazetën Express, një zëdhënës i qeverisë gjermane.
Nga Berlini zyrtar kanë rikujtuar se të gjashtë liderët e Ballkanit Perëndimor i kanë dhënë zotimet e tyre në Samitin e fundit të Procesit të Berlinit, të mbajtur më 5 korrik për çështjen e Planit të Veprimit për Tregun e Përbashkët Rajonal, derisa e përmendin edhe kërkesën e kancelares Merkel që të dyfishohen përpjekjet për finalizimin e katër marrëveshjeve deri më 6 tetor, kur edhe do të mbahet Samiti i radhës Bashkim Evropian – Ballkan Perëndimor.
“Krerët e qeverive të gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor e riafirmuan angazhimin për këtë projekt historik në Samitin e fundit të Procesit të Berlinit më 5 korrik. Detyra urgjente tani është të finalizohen negociatat e katër marrëveshjeve për lirinë e udhëtimit me kartat e identitetit, lirinë e udhëtimit për shtetasit e vendit të tretë dhe njohjen e kualifikimeve akademike e profesionale. Siç nënvizoi kancelarja gjermane, Merkel, gjatë konferencës së shtypit pas Samitit të Procesit të Berlinit më 5 korrik, përpjekjet duhet të ridyzohen për ta arritur këtë hap të rëndësishëm përpara deri në samitin BE – Ballkan Perëndimor më 6 tetor”, ka shtuar zëdhënësi, në pyetjen se si e sheh qeveria gjermane iniciativën e “Open Balkan” dhe nëse shtetet e tjera duhet t’i bashkohen një nisme të tillë.
Të pyetur nëse kjo nismë është një sinjal që Bashkimi Evropian ta ndryshojë politikën e zgjerimit, meqë vendet e Ballkanit Perëndimor po kërkojnë rrugë të tjera të bashkëpunimit pa u anëtarësuar në BE, nga Berlini thonë se qëndrimi i tyre për “perspektivën drejt BE-së të vendeve të Ballkanit Perëndimor, bazuar në metodologjinë e re të zgjerimit, mbetet i pandryshueshëm”.
Edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës deklaruan më herët se mbështesin përpjekjet e Ballkanit Perëndimor për të forcuar integrimin ekonomik dhe i bëjnë thirrje qeverisë së Kosovës që t’i qaset me “mendje të hapur” përpjekjeve për integrim rajonal ekonomik.
“Në fund të fundit, qeveria e Kosovës duhet të vendosë se në cilat iniciativa do të bashkohet dhe cilat e mbështesin më së miri vizionin e saj ekonomik. Megjithatë, ne inkurajojmë qeverinë që t’i qaset përpjekjeve për integrim rajonal ekonomik me mendje të hapur dhe të përqafojë zgjidhjet që japin rezultate për kosovarët, teksa përmirësojnë raportet me fqinjët e saj”, u shpreh për Radion Europa e Lirë një zëdhënës i Ambasadës amerikane në Prishtinë, duke iu përgjigjur pyetjeve lidhur me refuzimin e qeverisë së Kosovës për t’iu bashkuar iniciativës “Ballkani i Hapur” (Open Balkan).
Fraksion.com