Gjermanët japin ndihmë në luftën me zjarret në Mesdhe
Vendet mesdhetare po digjen. Dramatike është situata aktualisht në Greqi. Nga Gjermania mbërrijnë të enjten në Greqi qindra zjarrfikës në mbështetje të luftës kundër zjarreve.
2000 kilometra rrugë në rast emergjence janë një rrugë e gjatë, nëse këtë rrugë duhet ta përshkosh si rrugë tokësore. Pikërisht kaq kilometra rrugë duhet të përshkojnë zjarrfikësit gjermanë për të mbërritur në zonat e zjarreve në Greqi. Tre deri në katër ditë ata do të jenë në rrugëtim. Të enjten trupat priten në Greqi. “Kjo është rruga më e gjatë që kemi bërë ndonjëherë”, thotë Ralf Ackermann, President i Shoqatës së Zjarrfikësve të landit të Hesenit në gazetën “Hessenschau”. Nga landi i tij janë nisur 164 zjarrfikës dhe 27 automjete drejt Greqisë. Ekipi i Hesenit përbëhet jo vetëm nga zjarrfikësit, por edhe forca të shpëtimit dhe logjistikës, bën të ditur Ministria e Punëve të Brendshme të landit.
Në këtë mision janë edhe automjete speciale për territore të vështira për t’u kaluar. “Fuqia e zjarrit është për shkak të bimësisë ndryshe nga ajo që njohim në Gjermani”, thotë Ralf Ackermann me shqetësim. Zjarri kapërcen shpejt nga pema në pemë.
Një trupë specialistësh
Trupës së zjarrfikësve i janë bashkuar edhe 52 forca shpëtimi nga Bonni me 17 automjete. “Shpresojmë që në fund të këtij aksioni të gjithë të kthehemi mirë në shtëpi”, thotë Carsten Schneider, për radion gjermane WDR. Nuk është një aksion pa rreziqe, sipas kreut të Qendrës së Zjarrfikësve të Bonnit, por ata janë specialistë. “Punojmë në nivel të BE me vendet e tjera dhe jemi në varësinë e qendrës në Greqi”, shpjegon Carsten Schneider. Veshja mbrojtëse për shkak të nxehtësisë së lartë është më e hollë. Ekipi gjerman është i përgatitur me çadra dhe ushqime, e mund të ngrejë kampin e vet menjëherë aty ku mundet.
Koordinimi nga BE dhe federata
Me një ekip prej gjithsej 221 forca shpëtimi, Gjermania reagoi ndaj një thirrjeje për ndihmë nga Greqia dhe Brukseli. Sepse misionin e ndërmjetëson qendra e BE “Emergency Response Coordination Centre”, ERCC. Edhe forca të specializuara të Ndihmës Teknike Gjermane, THW i janë bashkuar misionit nga Gjermania. Kostot e transportit paguhen ga BE, kurse misioni në terren nga Gjermania. Ende nuk dihet, nëse Greqia do të pranojë ofertën e ndihmës me helikoperë zjarrfikës nga Gjermania. Ndërkohë në terren veprojnë helikopterë nga vende të tjera.
Ndihma nga shtete të tjera
20 vende janë angazhuar aktualisht në luftë kundër flakëve në Greqi. Këtu bëjnë pjesë edhe shtete jashtë BE si Izraeli apo Kuvajti. Disa vende kanë dërguar madje edhe avionë të specializuar, që Gjermania nuk i ka, e që Të Gjelbrit e kritikojnë si mungesë. Zëdhënësja e Të Gjelbërve për politikën europiane, Franziska Brantner thotë se kjo duhet të ishte kërkuar me kohë, jo vetëm për misione në Gjermani, por edhe në rast nevoje të “solidaritetit europian”. Ministrja e Hessenit për Europën, Lucia Puttrich u shpreh, se “ne europianët na lidhin shumë më tepër se marrëveshjet europiane. “Në rast nevoje ne qëndrojmë së bashku.” Për misionin gjerman në Greqi janë parashikuar dy javë./DW
Fraksion.com