AktualitetTë fundit

Alarm për një zjarr në Spitalin Amerikan në Tiranë; Shtëllungat e tymit nxjerrin jashtë pacientët

Alarm për një zjarr është aktivizuar në mjediset e Spitalit Amerikan 2 në Tiranë duke krijuar situatë shqetësuese sidomos për pacientët.

Një numër personash që gjendeshin në katet e ulëta të spitalit, kanë dalë jashtë nën pasigurinë e momentit.

Raportohet se alarmi erdhi pasi shtëllunga tymi janë konstatuar në pjesën e pasme të këtij spitali privat që ndodhet përballë hyrjes qendrore të Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza” në kryeqytet.

Sikurse shihet nga pamjet që publikoi A2, në vendngjarje shkuan disa automjete zjarrfikëse dhe makina policie.

Nga Reparti për Mbrojtjen kundër Zjarrit dhe policia nuk ka ndonjë informacion mbi incidentin dhe shkaqet.

Noa.al kërkoi një informacion mbi ngjarjen, nga përgjegjësja e komunikimit të këtij spitali, Oriela Cano e cila tha se nga ky zjarr nuk pato persona të lënduar dhe shtoi se u morën masa të shpejta për shuarjen e tij.

Zyrtarja tha për noa.al se u aktivizua alarmi pasi një re tymi u shfaq në mjediset e Spitalit. Ajo shtoi se dyshimet janë që një cigare e lënë ndezur të ketë shkaktuar djegien e mbetjeve që krijohen në pjesën e etalbondit (veshjes së fasadës së godinës) dhe për pasojë është përhapur tym që çoi në aktivizimin e alarmit.

 

Fraksion.com