AktualitetTë fundit

Zjarret në vend; Ambasadorja Kim në Pashaliman: Çastet kur miqtë dhe aleatët qëndrojnë së bashku

Situata problematike e zjarreve për shkak të temperaturave të larta që kanë përfshirë vendin tonë, ka bërë që ambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë, Yuri Kim të zbresë në Pashaliman, Vlorë.

Ambasadorja e SHBA-së në Shqipëri, Yuri Kim së bashku me ekspertë nga USAID dhe përfaqësues të lartë nga Ambasada e SHBA-së në Tiranë, zhvilluan një takim në Pashaliman, me ministrin e Mbrojtjes, Niko Peleshi, drejtorin e përgjithshëm të AKMC, Haki Çako dhe titullarë të tjerë të lartë nga strukturat vendore.

Në një njoftim për mediet, Ambasada Amerikane në Tiranë theksoi se ambasadorja Kim, në emër të popullit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, shprehu trishtimin e thellë për dëmin e shkaktuar nga zjarret në Shqipëri.

“Mendimet tona shkojnë për të gjithë shqiptarët gjatë kësaj kohe të vështirë, veçanërisht me ata jetët e të cilëve janë prekur nga shkatërrimi. Ne i jemi mirënjohës personelit ushtarak dhe zjarrfikësve për aktet e tyre heroike për të luftuar zjarret dhe ndihmuar në parandalimin e humbjeve të mëtejshme të jetëve dhe pronës. Gjithashtu do të doja të falënderoja Ministrin e Mbrojtjes Peleshi, Shefin e Shtabit Begaj dhe Drejtorin e Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile Çako për përpjekjet e tyre në udhëheqjen e përgjigjes ndaj këtyre zjarreve”, tha ambasadorja Kim.

“Unë sot jam në rajonin e Vlorës për të takuar ekipin tonë amerikan të ekspertëve nga Byroja për Ndihmë Humanitare e USAID, të cilët erdhën në Shqipëri për të ndihmuar me përpjekjet e koordinimit dhe përgjigjes. Unë jam mirënjohëse për përgjigjen e tyre të shpejtë ndaj thirrjes për ndihmë. Ata tashmë kanë filluar të trajtojnë sfidat, duke punuar së bashku me partnerët tanë shqiptarë. Këto përpjekje të përbashkëta dhe bashkëpunimi midis vendeve tona është ajo çka aleatët bëjnë për njëri -tjetrin në kohë nevoje. Këto janë çastet kur miqtë dhe aleatët qëndrojnë së bashku për të përballuar këto sfida të vështira”, vijoi Kim.

“Unë jam gjithashtu shumë e kënaqur që planifikimi i mëparshëm i emergjencës midis vendeve tona po ndihmon me këto përpjekje, veçanërisht dhurimet e pajisjeve të zjarrfikësve nga Komanda Evropiane e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në 2019. Pajisjet e zjarrfikësve, të tilla si kovat “Bambi” të përdorura nga helikopterët, tani po përdoren për të shpëtuar jetë”, tha ajo.

“Më lejoni ta them sërish, populli amerikan është në krahun tuaj – dhe do të jetë gjithmonë në krahun tuaj – gjatë kohëve të vështira”, përfundoi ambasadorja Kim.

 

Fraksion.com