Largohet rreziku i flakëve nga Parku i Llogorasë, Peleshi: Vijon aksioni në afërsi të tunelit të Kalimashit
Me ndërhyrje të përqendruar nga toka dhe nga ajri, tashmë është larguar rreziku i flakëve në drejtim të Parkut Kombëtar të Llogorasë, por operacioni vijon për të normalizuar situatën.
Ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi bën të ditur se forcat janë përqendruar në zonën e tunelit të Kalimashit, ku si pasojë e erërave të forta dhe terrenit zjarri është përhapur drejt fshatit Shëmri, ndërsa në vendin e quajtur Qafa e Kumbullës është bërë i mundur izolimi i flakëve.
“Situata është drejt përmirësimit në më shumë se gjysmën e sipërfaqes së prekur nga flakët në zonën e Krushovës në Voskopojë. Po ndiqet me seriozitet një vatër zjarri në Qafën e Tërkuzit, në pjesën e Malit të Zi, në afërsi me kufirin tonë”, tha Peleshi në përditësimin e situatës pasditen e sotme.
Në njoftimin e pasdites së sotme të Ministrisë së Mbrojtjes, po ashtu vihet në dukje se disa vatra zjarri vijojnë të jenë shqetësuese ende, pavarësisht punës dhe ndërhyrjes së forcave operacionale në të gjithë territorin e vendit.
“Tashmë është larguar rreziku i flakëve në drejtim të Parkut Kombëtar të Llogorasë, por operacioni vijon për të normalizuar situatën. Forcat janë përqendruar në zonën e tunelit të Kalimashit, ku si pasojë e erërave të forta dhe terrenit zjarri është përhapur drejt fshatit Shëmri, ndërsa në vendin e quajtur Qafa e Kumbullës është bërë i mundur izolimi i flakëve. Në fshatin Trull, ku rrezikoheshin stane situata është nën kontroll. Për qetësimin e zjarrit do të bashkëpunohet edhe me forca ndihmë nga Kosova”, thuhet në përditësim.
Fraksion.com