Situatë me e qetë nga zjarret në vend, 2 vatra kritike, 8 janë nën monitorim
Pas gati dy javësh në “luftë” me zjarret, sot shënohet dita më e qetë.
Falë punës së bërë nga efektivët e Forcave të Armatosura, punonjës të Shërbimit Zjarrfikës, Emergjencave Civile pranë pushtetit vendor, është bërë e mundur shuarja e shumë vatrave agresive në zona të ndryshme të territorit të vendit.
Vetëm ditën e sotme, përmes koordinimit me Agjencinë Kombëtare të Mbrojtjes Civile janë shuar 15 vatra zjarri, por mbeten ende 10 vatra aktive. 2 prej tyre si Karaburuni dhe Maja e Rrunës janë vatra me intensitet më të lartë. Në majën e Rrunës, helikopteri ka bërë të mundur uljen e agresivitetit të flakëve dhe nuk rrezikohen banesa.
Në qarkun e Vlorës, gadishulli i Karaburunit, vatra është mbajtur nën kontroll për të mos lejuar kalimin në Parkun Kombëtar të Llogarasë. Është mundësuar eleminimi i vatrave në pjesën më të madhe të zonës së prekur dhe momentalisht nuk ka rrezik.
8 vatrat e tjera në: bashkinë Finiq (Vlorë), në fshatin Vermosh (Shkodër), në fshatrat Thirrë, Domgjonaj, Munellë (Lezhë), në Dropull (Gjirokastër), në fshatin Klysyrë (Tropojë), në fshatin Bardhaj (Dibër) si dhe në Kodër – Sharrë (Tiranë) janë nën kontroll dhe do të monitorohen edhe gjatë natës, për të mos lejuar që ndryshimet e kushteve klimatike të ndikojnë në përhapjen e flakëve.
Me ndërhyrjen edhe të 3 helikopterëve të mbërritur nga Holanda e Çekia si pjesë e Mekanizmit të Mbrojtjes Civile të BE pritet edhe shuarja përfundimtare e zjarreve.
Fraksion.com