AktualitetTë fundit

Mbërrijnë 3 helikopterë për shuarjen e zjarreve nga Holanda e Çekia, ndihmë nga BE

Kanë mbërritur në aeroportin e Rinasit 3 helikopterë, 2 nga Holanda dhe 1 nga Çekia, pjesë e mbështetjes që dy vendet po i japin Shqipërisë, në kuadër të aktivizimit të Mekanizmit të Mbrojtjes Civile të Bashkimit Evropian, për shuarjen e zjarreve në territorin shqiptar.

Mjetet u pritën në aeroportin “Nënë Tereza” nga zv.ministrja e Mbrojtjes Dallëndyshe Bici, drejtori i Agjencisë së Mbrojtjes Civile Haki Çako, përfaqësues të ambasadave përkatëse, Shefi politik i delegacionit të BE-së në Tiranë, Alexis Hupin.

Zv.ministrja e Mbrojtjes, Dallëndyshe Bici falenderoi në emër të qeverisë shqiptare dy vendet për ndihmën e dhënë në këto ditë të vështira, ndërsa njoftoi se puna e helikopterëve do të nisë nesër në mëngjes herët.

Drejtori i Agjencisë së Mbrojtjes Civile, Haki Çako shprehu mirënjohjen për përgjigjen në kohë të shpejtë të Mekanizmit të Mbrojtjes Civile Evropiane, duke vënë në dukje se situata ka qenë e rënduar, veçanërisht në gadishullin e Karaburunit, pikërisht në kufi me Parkun Kombëtar të Llogorasë.

Shefi politik i delegacionit të BE, Alexis Hupin tha se ndihma që vjen nga Bashkimi Evropian është shenjë e solidaritetit evropian.

“Kjo është një shprehje e solidaritet të Bashkimit Evropian dhe duam t’i qëndrojmë në krah të Shqipërisë në këto momente. Jemi këtu për të mbrojtur jetët e njerëzve që po preken nga këto zjarre dhe gjithashtu bukuritë e natyrës shqiptare. Nesër fillon puna me helikopterin”, u shpreh Hupin.

Bashkë me helikopterët, pjesë e ndihmës janë edhe mbi 50 forca ushtarake të specializuara në fushën e emergjencave civile, të cilët do t’i bashkohen efektivëve shqiptarë që prej ditësh janë në përpjekje të pandërprera për shuarjen e flakëve në disa zona të Shqipërisë.

Bashkimi Evropian aktivizoi Mekanizmin e Mbrojtjes Civile për t’u ardhur në ndihmë disa prej shteteve më të prekura nga zjarret si: Shqipëria, Italia, Greqia dhe Maqedonia e Veriut.

 

Fraksion.com