3 helikopterë në Vlorë për shuarjen e zjarreve, Peleshi: Presim ndihmë nga Holanda
Ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi bëri të ditur sot, nga Dukati i Vlorës, se situata e zjarreve në qarqet Vlorë dhe Gjirokastër është drejt përmirësimit dhe se të gjitha strukturat e shtetit janë në terren për të bërë të mundur izolimin dhe shuarjen e çdo vatre zjarri.
Gjatë një prononcimi në medie, Peleshi tha se disa shtete fqinje, por edhe të tjera, i janë përgjigjur pozitivisht thirrjes sonë për ndihmë për të përballuar situatën.
“Kemi dërguar kërkesë për mbështetje Qendrës Europiane të Emergjencave Civile. Edhe në mënyrë bilaterale kemi kërkuar mbështetje shteteve fqinje, por edhe vendeve të tjera. Sot presim një skuadrilje nga Holanda për të vlerësuar situatën se sa ndihmë do na sjellin. Ambasadori i Ukrainës më ka ofruar mbështetje gjithashtu”, deklaroi ministri Peleshi.
Peleshi tha gjithashtu se janë tre helikopterë në Vlorë që po bëjnë shuarjen e vatrave të zjarrit, në mënyrë që të mos preket Parku i Llogorasë.
Duke folur për situatën në Gjirokastër, ministri Peleshi tha se gjatë ditës së djeshme zjarri rrethoi fshatin “Asim Zeneli” në mënyrë të shpejtë, i ndihmuar edhe nga era e fortë.
“Pavarësisht ndërhyrjes së menjëhershme fatkeqësisht një banor humbi jetën, ndërsa një tjetër u lëndua”, tha ai.
Sipas Peleshit, sot kemi një situatë shumë më të qetë dhe vatrat e mëdha janë fikur.
“Në Vlorë kemi patur një situatë emergjente gjatë natës në Pashaliman. Kemi ndërhyrë me një numër shumë të madh forcash, si dhe me helikopterë e zjarrfikëse, dhe më të keqen e shmangëm”, tha ai.
Ministri Peleshi u shpreh se vatrat e zjarrit në këto zona ishin të qëllimshme.
Sipas tij, Policia e Shtetit ka informacion se zjarri ka qenë i qëllimshëm dhe për këtë ka bërë të mundur ndalimin e disa shtetasve.
Ai u bëri apel qytetarëve të denoncojnë çdo rast të zjarrvënies së qëllimshme, si dhe të informojnë në kohë reale për vatra zjarri, pasi kështu bëhet e mundur ndërhyrja në kohë dhe me më pak pasoja.
“Shumë ekspertë mendojnë se bëhet fjalë për zjarrvënie të qëllimshme. Kjo bëhet vetëm me bashkëpunimin e qytetarëve. Është e pamundur që të menaxhosh në të njëjtën kohë të gjitha vatrat në të gjithë Shqipërinë, edhe me 3 helikopterë. Unë mendoj se është më mirë të analizojmë se si ka mundësi që ndodhin të ndizen kaq shumë vatra në të njëjtën kohë. Janë ndaluar disa persona. Ka të dhëna të mjaftueshme për të lidhur zjarret me emra konkretë dhe do të punohet paralelisht”, deklaroi ai.
Fraksion.com