AktualitetBota+Të fundit

Pentagon, vritet një oficer i forcave mbrojtëse të objektit

Një oficer policie mbeti i vrarë nga një armë e ftohtë të martën pas një incidenti në një stacion transporti para Pentagonit. I dyshuari u qëllua për vdekje nga forcat e rendit, thanë zyrtarët.

Selia e Departamentit të Mbrojtjes, e cila ndodhet pak kilometra jashtë perimetrit të kryeqytetit të vendit, ishte të martën nën masa izolimi për disa orë pasi pati të shtëna. Një oficer i policisë së Pentagonit u qëllua me armë të ftohtë në orët e paradites dhe pastaj vdiq nga plagët, sipas zyrtarëve që ishin në dijeni të zhvillimeve por nuk ishin të autorizuar të bënin komente publikisht, njofton agjencia e lajmeve Associated Press.

Pritej të bëheshin të ditura hollësi të tjera gjatë konferencës për shtyp. Nuk dihet nëse ekziston ndonjë lidhje mes të shtënave dhe incidentit që la të vrarë policin.

Incidenti që la të vrarë policin ndodhi në platformën ku ndalet autobusi i sistemit urban Metrobus, i cili shërben për të dërguar punonjësit e Pentagonit në stacionet e metrosë, apo të linjave të rregullta të autobusëve. Kjo platformë ndodhet vetëm disa hapa larg ndërtesës së Pentagonit, shpjegojnë zyrtarët.

Më herët të martën, Pentagoni njoftoi se ndërtesa është nën masa bllokimi “si rezultat i aktivitetit policor”. Agjencia përgjegjëse për sigurinë në këtë objekt, Agjencia e Forcave Mbrojtëse të Pentagonit, njoftoi pak para mesditës se skena e incidentit ishte nën kontroll.

Gjatë kësaj kohe, Sekretari i Mbrojtjes, Lloyd Austin dhe Gjenerali Mark Milley, Shefi i Shtatmadhorisë, ishin në Shtëpinë e Bardhë për një takim pune me Presidentin Joe Bden./VOA

 

Fraksion.com