AktualitetTë fundit

Zjarret, Peleshi në Bazën e Pashalimanit: Karaburuni e vetmja vatër serioze, kemi menaxhuar me sukses situatën

Gadishulli i Karaburunit mbetet e vetmja vatër serioze zjarri në vend. Ministri i Mbrojtjes Niko Peleshi, shoqëruar edhe nga prefekti i Vlorës Flamur Mamaj ishin në Bazën e Pashalimanit, ku panë nga afër përpjekjet e forcave zjarrfikëse dhe atyre të FA, të cilët prej ditësh vijojnë punën për vënien nën kontroll të flakëve edhe në zona të tjera të vendit.

“Forcat tona të Armatosura janë në të gjithë territorin që në ditën e parë, kur ka filluar kjo stinë e nxehtë, që është pasuar nga zjarre të shumtë. Natyrisht komandanti i bazës ka bërë një punë shumë të mirë dhe duke qenë se rrezikun e kemi prezent do të vazhdojmë punën me shumë intensitet dhe shpresojmë që ta vendosin nën kontroll dhe të fikim brenda pak orësh, le të themi brenda ditës së sotme, por ky nuk mund të jetë një premtim. Kushtet atmosferike janë të paparashikueshme, sidomos në një zonë si Gadishulli i Karaburunit”, – u shpreh ministri i Mbrojtjes.

Ministri Peleshi tha se flakët kërcënuan edhe Bazën e Pashalimanit, por falë punës së jashtëzakonshme të mbi 200 efektivëve të FA dhe punonjësve zjarrfikës të qarkut, kjo bazë e rëndësishme u mbajt jashtë rrezikut.

Në të gjithë vendin janë në gatishmëri rreth 1200 efektivë të FA, ndërsa janë kryer mbi 60 fluturime me helikopter për të shuar flakët.

Ministri Peleshi shprehu solidaritetin edhe me autoritetet dhe qytetarët e vendeve si Greqia, Turqia, të cilët po përballen me një situatë të tillë. “Ne e konsiderojmë deri tani të menaxhuar me sukses, së pari nuk kemi pasur humbje jetësh, nuk kemi pasur të lënduar, nuk kemi pasur as banesa. Më afër kërcënimit të zjarreve kanë qenë banesat në zonën e Ksamilit dhe në një fshat të Përmetit. Por tani ato janë shuar. Kanë punuar respektivisht njëzet e ca efektivë të Forcave të Armatosura në secilën prej këtyre dy vatrave që iu afruan edhe për shkak të erërave banesave”, – tha zoti Peleshi.

Nga ana e tij, prefekti i Vlorës Flamur Mamaj përgëzoi për punën e palodhur efektivët e FA, ndërsa konsideroi të tejkaluar rrezikun për Parkun e Llogarasë.

Tashmë janë tejkaluar situatat e vështira në dy fshatra të Fierit, si dhe janë shuar flakët në njësinë administrative të Mamurrasit, bashkia Kurbin.

020821

020821

020821

020821

 

Fraksion.com