AktualitetTë fundit

Vlora 7 ditë luftë me flakët; Drejtori i zjarrfikëseve: Zonat e banuara nuk rrezikohen, me mbështetje të fortë ajrore do ia dalim

Vatrat e zjarrit në zonën e Karaburunit janë në ditën e shtatë!

Situata vijon të jetë e njëjtë edhe pse dhjetëra forca të ushtrisë janë dërguar për të ndihmuar zjarrfikësit në vatrat e zjarrit. Ditën e djeshme u bë e mundur neutralizimi i zjarrit afër banesave te fshatit Dukat i Ri, ndërkohë që sot në lartësinë e malit të Karaburunit ku flakët janë prezente është e pamundur të ndërhyhet nga terreni ndaj kërkohet ndërhyrja nga ajri.

Vijon të jetë aktiv vatra e zjarrit mbi fshatin Tragjas, i cili është aktiv por që nuk rrezikon banesa vetëm shkurre dhe pemë. Po ashtu dhe në fshatin Kuç sipërfaqe të mëdha me shkurre vijojnë të digjen.

Në një lidhje live për edicionin e lajmeve në Top Channel ishte Kastriot Bega, drejtor i zjarrfikëseve ne bashkinë e Vlorës.

Bega u shpreh se aktualisht janë aktive vatrat e zjarrit në Karaburun dhe në malin e Tragjasit, por pavarësisht punës të madhe të bërë fikja e zjarrit është e pamundur.

“Aktualisht vatrat e zjarrit janë në Karaburun dhe ne malin e Tragjasit. Në Karaburun po punon një pjesë e mirë e Forcave të Armatosura, personeli i mbrojtjes së mjediseve, të cilët kanë bërë të pamundurën për fikjen e zjarrit. Në ndihmën tonë është edhe një helikopter i ushtrisë.

Temperaturat e larta bëjnë që zjarri të jetë i vështirë dhe të mos fiket. Prej katër muajsh nuk bien shira dhe e bën të pamundur fikjen e zjarrit. Po punohet me kapacitete maksimale, edhe pse jemi munduar është e pamundur fikja e zjarrit”,u shpreh drejtori i zjarrfikësve.

Bega tregon vështirësitë që ata kanë hasur për shkak të terrenit të vështirë: “Ne kemi arritur me shumë vështirësi, duke ikur 2 ose 3 orë në këmbë. Kemi vajtur deri në vatrën e zjarrit, por temperaturat nuk na favorizojnë”.

Zjarret janë rreth 2 ose 3 km, ndërsa zonat e banuara nuk janë të rrezikuara, sepse në shërbimin e tyre janë vendosur zjarrfikëset thotë Bega, duke shtuar më tej: “Duke pasur një mbështetje të fortë ajrore do t’ia arrijmë qëllimin e fikjes së zjarreve ne Karaburun”./TCH

 

Fraksion.com