AktualitetTë fundit

Operacioni i tretë humanitar në kampet e Sirisë, Çuçi: Një nga përpjekjet më të suksesshme

Ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi ka folur lidhur me operacion e tretë humanitar për kthimin në atdhe të 5 grave dhe 14 fëmijëve nga kampi Al Hol.

Nga Bejruti ku ndodhet edhe kryeministri Edi Rama, në një prononcim për Top Channel, Çuçi tha se “është një përpjekje e gjatë që ka nisur që në operacionin e fundit, ku punonjësit e policisë dhe këtu gjej rastin t’i përgëzoj, sidomos departamentin e Antiterrorit të kryesuar nga Gledis Nano, të cilët bënë intervista dhe identifikuan brenda kampit gra dhe fëmijë shqiptarë”.

“Pastaj ka qenë një përpjekje disa mujore me autoritetet kurde, kryesisht që administrojnë atë kamp, atë terren ku luhet një tragjedi njerëzore dhe pa diskutim me koordinimin e jashtëzakonshëm të konsullit tonë, të Markut dhe të gjithë përpjekjen e bërë nga struktura e sigurisë këtu në Bejrut arritëm që më në fund të vendosim edhe për ditën kur do t’i merrnim se problemet fillojnë që nga marrja e lejes nga autoritete kurde, koordinimi me shtetin sirian transporti që është një problem më vete dhe ja ku jemi sot”, theksoi ministri.

Ai shtoi se “operacioni mund të konsiderohet akoma i papërfunduar sepse përfundon vetëm kur të ulemi të gjithë bashkë në Shqipëri”.

“Por ja ku jemi sot shumë afër përmbylljes së kësaj përpjekjeje do të thoja unë disa mujore dhe që na ka çuar në një rezultat mbresëlënës edhe duke parë të gjitha aksionet apo veprimet që kanë ndërmarrë shtete e ndryshme për qytetarët e tyre që janë në ato kampe besoj se është një nga përpjekjet më të suksesshme. Padiskutim, i joni është i treti dhe besoj se do të vazhdojmë akoma me përpjekjet për të marrë të gjitha gratë dhe fëmijët shqiptarë që po i përjetojnë, do të thoja pa asnjë hezitim, atë tmerr në ato kampe në Siri”, nënvizoi Çuçi.

Ministri ka theksuar se ”ky operacion po aq i vështirë dhe ndërlikuar sa të tjerët nuk do të mund të kryhej pa ndihmën e çmueshme të gjeneralit Abas Ibrahim dhe pa vendosmërinë e profesionalizmin e strukturave tona të sigurisë”.

 

Fraksion.com