Vlora në flakë; Zjarr në Karaburun, Tragjas e Radhimë, digjen qindra hektarë me shkurre e pemë. Prefekti: S’kemi helikopter në dispozicion
Prej disa ditësh tashmë, zjarret kanë ‘pushtuar’ sipërfaqe të tëra në Vlorë, ku në Karaburun, Tragjas e Radhimë, po digjen hektarë të tërë me bimësi e pyje. Flakët në gadishullin e Karaburunit vijojnë prej 4 ditësh tashmë, ndërsa situata mbetet mjaft kritike, pasi rrezikohet edhe Parku Kombëtar i Llogarasë.
Punonjësit e zonave të mbrojtura prej ditësh luftojnë me flakët, në kushte mjaft të vështira dhe me mjete rrethanore, ndërsa dje në ndihmë të tyre shkuan edhe 40 ushtarë nga reparti i Poshnjes në Berat dhe Pashalimani, por janë larguar sot.
Për shuarjen e flakëve kërkohet ndërhyrje nga ajri, ndihmë që akoma nuk ka shkuar, kjo për shkak se, sipas Prefektit të Vlorës, Flamur Mamaj, është vetëm një helikopter i emergjencave në dispozicion, i cili është në remont pas ndërhyrjes për shuarjen e zjarrit në malin e Tomorrit.
Ndërkohë, ditën e sotme është riaktivizuar zjarri edhe në Tragjas, pas dy ditësh vënie nën kontroll nga zjarrfikësit. Zjarri u riaktivizua nga era, ndërsa flakët po djegin kreshtën e malit.
Në zonë ne Radhimës zjarri është vënë nën kontroll, por u dogjën me dhjetëra hektarë pyje e ullishte, ku flakët rrezikuan edhe bizneset e banesat që ndodheshin përreth, por fatmirësisht nuk u prekën. Në ndihmë të zjarrfikësve shkuan edhe banorët, për të shmangur afrimin e flakëve te banesat.
Për zjarrin në Radhimë policia ka arrestuar Viktor Habilajn, bari, si autor të zjarrvënies, ndërsa nuk dihet nëse ishte aksidentale apo e qëllimshme. Ndërkohë për vatrat e tjera të zjarrit që vijojnë të ‘djegin’ ende Vlorën, nuk dihet ende shkaku.
Fraksion.com