Shakira mund të gjykohet për mospagim taksash ndër vite në Spanjë
Ylli kolumbian i popit, Shakira, mund të gjykohet për evazion fiskal prej 14.5 milionë eurosh, në Spanjë, ka vendosur një gjykatëa pranë Barcelonës.
Ka prova të mjaftueshme për të mbajtur një proces gjyqësor për evazionin fiskal të dyshuar, të Shakira-s për vitet 2012, 2013 dhe 2014, tha magjistrati hetues në një vendim, sipas CNN.
Raportet e mediave spanjolle thanë se ekipi i Shakira-s argumentoi se vendbanimi i saj kryesor ishte në Bahamas. Por media lokale gjithashtu thanë se ajo ka një shtëpi në zonën e Barcelonës, me partnerin e saj prej një kohe të gjatë.
Gjyqtari, në gjykatën e Esplugues, shkroi se Shakira dhe një këshilltare financiare, e emëruar gjithashtu në vendim, përdorën një sërë kompanish tatimore jashtë vendit, për të fshehur burimet e të ardhurave të saj gjatë atyre viteve.
Duke reaguar ndaj vendimit, përfaqësuesit e këngëtares i thanë CNN në një deklaratë të enjten: “Ky është një hap i pritshëm në këtë proces. Ekipi ligjor ruan besimin dhe bashkëpunimin e tij me Drejtësinë dhe nuk do të ofrojmë asnjë koment të mëtejshëm për këtë çështje.”
Vendimi mban datën 20 korrik dhe gjyqtari u dha palëve në çështje 10 ditë pune për të paraqitur argumente shtesë.
Kodi tatimor spanjoll thotë se kushdo që banon në Spanjë për të paktën gjashtë muaj dhe një ditë – ose 183 ditë – në një vit të caktuar është i detyruar të paguajë taksat në Spanjë, tha konsulenti tatimor i Madridit, Beatriz Garcia, për CNN të enjten.
Fraksion.com