AktualitetTë fundit

“Karaburuni nën flakë”; Dita e katërt: Digjen qindra hektarë me shkurre e pemë

Prej 4 ditësh tashmë, gadishulli i Karaburunit ndodhet nën ‘pushtetin’ e flakëve që vijojnë të djegin gjithçka gjejnë përpara.

Ndonëse nuk është bërë ende një përllogaritje e saktë e dëmit, rezulton se deri më tani janë djegur qindra hektarë me shkurre e pemë.

Punonjësit e zonave të mbrojtura prej ditësh luftojnë me flakët, ndërsa dje në ndihmë të tyre shkuan edhe  100 trupa nga nga  Forcat Tokësore dhe Detare sipas informacioneve të FA.

Situata vijon të jetë mjaft kritike, ndërsa puna e punonjësve të zonave të mbrojtura vështirësohet edhe nga terreni i keq. Për shuarjen e flakëve kërkohet ndërhyrje nga ajri, ndihmë që akoma nuk ka shkuar.

Janë vendosur nën kontroll zjarret që përfshinë një ditë më parë pyllin e Kreshpanit, në Cakran të Fierit dhe në fshatin Vjosë.

Bëhet me dije se flakët kanë shkrumbuar rreth 30-40 hektar nën kurorë, ndërsa janë djegur edhe një sipërfaqe me pisha, ullinj e pemëtari, sipërfaqe ende e pa llogaritur.

Situata me zjarret është mjaft problematike në vend, ku vijon të jetë ende aktiv zjarri në gadishullin e Karaburinit, duke djegur hapësira të tëra me bimësi e pemë.

 

Fraksion.com