Zjarri ‘pushton’ Karaburunin; Peleshi: Trupat e batalionit të Poshnjes dhe detarët e Pashalimanit janë angazhuar që prej orëve të para
Zjarri në gadishullin e Karaburinit vijon të jetë aktiv, ndërsa situata duket mjaft kritike.
Në ndihmë të forcave zjarrfikëse, mëngjesin e sotëm kanë shkuar edhe 40 ushtarë nga reparti i Poshnjes në Berat dhe Pashalimani, që po punojnë për shuarjen e flakëve.
Lajmi u bë me dije nga Ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi, i cili thotë po ashtu se trupat e batalionit të III të këmbësorisë prej disa ditësh i janë bashkuar përpjekjeve të strukturave lokale për shuarjen e zjarrit në pyllin e Kreshpanit në Cakran të Fierit.
Ai shkruan në “Facebook”, ku dhe publikon pamje nga puna e forcave ushtarake se ato janë angazhuar që prej orëve të para të ditës dhe janë të gatshëm 24 orë në 7 ditë të javës.
“Që prej orëve të para të ditës trupat e batalionit të Poshnjes dhe detarët e Pashalimanit janë angazhuar për fikjen e zjarrit në zonën e Karaburunit, duke sfiduar terrenin dhe temperaturat ekstreme.
Gjithashtu, trupat e batalionit të III të këmbësorisë prej disa ditësh i janë bashkuar përpjekjeve të strukturave lokale për shuarjen e zjarrit në pyllin e Kreshpanit në Cakran të Fierit. #tegatshem24/7”, shkruan Peleshi.