AktualitetPolitikëTë fundit

“Basha takon Arifin”; Reagon mbi takimin Rama-Zaev-Vuçiç: Nuk prodhojnë asgjë përveç fotografive, të bëhet urgjentisht njohja e Kosovës

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha zhvilloi sot një takim me kryetarin e komunës së Bujanocit, Nagip Arifi.

“Në këtë korrik të nxehtë, të nxehta mbeten problemet e mëdha të mbartura prej vitesh për shqiptarët e Luginës së Preshevës, ku do të veçoja si problem themelor spastrimin etnik që po i bëhet komunës së Bujanocit si dhe asaj të Medvegjës dhe të Preshevës nga i ashtuquajturi “procesi i përcaktimit të adresave të shqiptarëve” në këto tre komuna. Ky është një proces diskriminues, në shkelje totale të kushtetutës së vet Republikës së Serbisë dhe angazhimeve të saj në kuadër të këshillave të Europës dhe në kuadër të dokumenteve të bashkëpunimit në procesin e Integrimit Europian të Republikës së Serbisë”, tha Basha në një prononcim për mediet pas takimit.

Kreu i PD,  ka komentuar takimin e tre liderëve të Shqipërisë, Malit të Zi dhe Serbisë në Forumin Ekonomik të Bashkëpunimit Rajonal të mbajtur në Shkup.

Në deklaratën e tij për media, tha se takimet e tyre të shpejta nuk prodhojnë asgjë të re përveç fotografive. Basha tha se hapi i parë që duhet të bëhet është njohja e ndërsjellë e Kosovës dhe Serbisë dhe më pas të vijohet me lëvizjen e lirë në rajon. Kujtojmë se “Minishengeni”ka marrë emrin e ri “Open Balkan”.

“Mendoj që takimet po bëhen kaq shpesh, nuk e di se çfarë po prodhojnë, përveç fotove. Që lëvizja e lirë në rajon të funksionojë duhet urgjentisht të punohet për eliminimin e kërcënimit të fundit për paqen e stabilitetin në rajon, që është njohja e ndërsjellë të Kosovës dhe Serbisë. Lëvizja e lirë është një synim dhe kërkesë e të gjitha proceseve ku janë të përfshira vendet e Ballkanit Perëndimor që nga procesi i integrimit evropian dhe procesi i Berlinit. Kështu që, që kanë dëshirë për të dalë në këto ditë të nxehta për të bërë fotografi nuk është një çudi e madhe për mua por të na kusejnë një film të stërparë që po kthehet në një alibi për ngecjen në vend.

Partia Demokratike e mbështet dialogun por nuk kemi lënë asnjë dilemë për përfundimin e këtij dialogu. Ne jemi të lumtur që SHBA dhe BE janë të qartë sa i përket këtij objektivi” – u shpreh Basha.

 

Fraksion.com