AktualitetTë fundit

Falsifikuan biletat e autobusit dhe fshehën të ardhurat, prokuroria e Tiranës kërkon ta çojë çështjen në gjyq

Prokuroria e Tiranës ka kërkuar të çojë në gjyq çështjen me të pandehur për fshehje të të ardhurave shtetasit Erisa Vora, Lulzim Allaraj, Fatos Vrapi, Albana Vrapi, Aldi Duka, Ferdinand Ibrahimi, Klodiana Qato.

Ndërsa Anastas Ibrahimi akuzohet për veprën penale “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës.”

Ndalimi i tyre u bë me 27 gusht te vitit te kaluar dhe nga dokumentacioni i administruar në dosjen e siguruar nga gazetarja Anila Hoxha, rezulton se bëhet fjalë për qarkullimin e biletave të transportit urban ndërqytetas, të cilat kanë një vlerë të caktuar në qarkullimin civil dhe një rregullim të posacëm në lidhje me mënyrën e prodhimit dhe shpërndarjes së tyre.

Personat nën hetim kanë vënë në qarkullimin civil bileta për të cilat ishin në dijeni se nuk ishin prodhuar dhe shpërndarë nga institucioni përkatës, dijeni që provohet nga mënyra sesi kryhet pagesa dhe tërheqja e këtyre biletave nga organet tatimore. Vepra penale mund të jetë kryer në formën e përdorimit të letrave me vlerë pasi nuk arrihet të provohet përgjegjësia penale në lidhje me prodhimin e këtyre letrave me vlerë të falsifikuara.

Nga veprimet e para hetimore rezultoi se Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, e vënë në lëvizje nga Shtypshkronja e Letrave me Vlerë sh.a., ka kryer kontroll në linjat e autobusëve të transportit urban, për shkak të dyshimeve se në këto linja qarkullonin bileta transporti urban, të cilat nuk prodhoheshin nga shtypshkronja. Në dy linja janë evidentuar blloqe biletash, të cilat kanë rezultuar se kanë qenë të ndryshme nga të tjerat. Ndaj këtyre subjekteve është marrë masë administrative.

Nga komunikimet telefonike të Ferdinand Ibrahimit dhe djalit të tij, Anastas Ibrahimi, ka rezultuar se ky i fundit tentoi të largohej me mjetin në të cilin ndodheshin 105 mijë bileta të dyshuara si të falsifikuara, të cilat u sekuestruan.

Nga përgjimi i komunikimeve telefonike, ka rezultuar se Ferdinandi dhe Anastasi kanë diskutuar për bileta të falsifikuara, hedhjen e tyre në plehra dhe djegien e tyre. Gjithashtu rezulton se biletat janë futur në valixhe dhe të dy diskutojnë nxjerrjen nga banesa me qëllim që të mos i shohin punonjësit e policisë.

Çfarë deklaruan në polici

Erisa Vora, administratore e një linje ka shpjeguar se si mësoi për biletat e gjetura dhe paraqiti mandat pagesat për biletat e tërhequra nga Drejtoria Rajonale Tatimore. Ajo shpjegon procedurën e qarkullimit të biletave dhe lekëve të mbledhura nga shitje. Vora shprehet se biletat janë tërhequr nga Lulzim Allaraj. Ajo mohon që të ketë pasur dijeni apo përfituar nga këto bileta.

Fatos Vrapi, një nga administratorët shpjegon linjat që mbulon dhe procedurën që ndiqet për administrimin dhe shpërndarjen e biletave. Ai shpjegon se tërheqja bëhet nga Aldi Duka, i cili i vulos dhe i shpërndan. Vrapi shprehet se kanë pasur raste abonesh apo karta veterani të falsifikuara për të cilat kanë bërë kallëzim penal dhe një shkresë drejtuar Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve. Për biletat e gjetura në një linjë, thotë se nuk ka dijeni dhe thotë se edhe vetë ai është i dëmtuar nga ky fakt.

Aldi Duka, kontrollor pranë një subjekti shpjegon detyrën e tij dhe procedurën për tërheqjen e biletave nga Drejtoria Tatimore e më pas shpërndarjen e tyre sipas linjave. Ai thotë se për biletat e gjetura në një linjë autobusi se kanë vulën e shoqërisë dhe nuk arrin të shpjegojë se si kanë rezultuar të parregullta. Duka mohonm dijeninë e tij për biletat e falsifikuara dhe shpjegon procedurën që ndjek për tërheqjen dhe shpërndarjen e biletave.

Albana Vrapi, një nga administratoret e një subjekti ka shpjeguar se më herët ka dërguar një punonjës për të paraqitur kallëzim penal pasi vetë subjekti i tyre kishte konstatuar qarkullimin e biletave të falsifikuara dhe kishte marrë dijeni se edhe një tjetër subjekt kishte paraqitur të njëjtin shqetësim.

Lulzim Allaraj, punonjës pranjë një tjetër subjekti tha se ka tërhequr biletat nga Drejtoria Tatumore, ia ka dorëzuar Erisa Vorës e më pas ka marrë biletat e linjës së tij që kanë rezultuar të rregullta. Ai thotë se përgjigjet vetëm për linjën e tij, jo për tjetër.

Anastas Ibrahimi shprehet se biletat e gjetura në mjetin e tij i përkasin të atit pasi ai merret me autobusa. Ai është student dhe banon në Zvicër ndërsa mjeti është i babait. Anastasi thotë se nuk ka hipur në mjet, por dy punonjës policie që rrinin para banesës e kanë urdhëruar të hapë bagazhin dhe ka shkruar të marrë çelësat në banesë.

Ferdinand Ibrahimi thotë se ai përdor mjetin, biletat nuk janë të falsifikuara dhe se i kanë mbetur prej kohësh në banesë, që kur i ka marrë nga tatimet. Djali i tij është student dhe nuk është në dijeni të këtij fakti dhe se përgjegjësia është vetëm e tij.

Klodiana Qato nuk ka dhënë shpjegime në momentet e ndalimit.

Çfarë u zbulua nga hetimet

Në dosjen që gazetarja e Top Channel, Anila Hoxha disponon, thuhet se administratorja Erisa Gora duke pretenduar mosdijeninë për mënyrën e qarkullimit të biletave, ka paraqitur të dhëna të pavërteta para autoriteteve tatimore, me qëllim uljen e vlerës së detyrimit që duhet të paguante.

Lulzim Allaraj është shprehur se i tërhiqte biletat dhe i depozitonte në zyrën e Gorës. Ai ka pasur akses në biletat e rregullta dhe ka patur informacion për të mundësuar hedhjen në qarkullim si të rregullta të biletave të falsifikuara, veprime të cilat nuk mund të realizoheshin pa dijeninë e administratorit që është përgjegjës për të gjithë organizimin. Pavarësisht se biletat e falsifikuara nuk iu gjetën atij por një linje tjetër, Allaraj ka pasur akses në biletat e rregullta para se të kryhej shpërndarja e tyre.

Fatos Vrapi, i cili është një nga administratorët e subjektit së bashku me bashkëshorten e tij, është përgjegjës për menaxhimin dhe mënyrën e krijimit të të ardhurave apo organizimit të brendshëm. Sa i përket biletave të falsifikuara, për të cilat pretendon se janë konstatuar dhe më herët dhe nuk janë përdorur prej tij por kanë pasur qëllim dëmtimin e subjektit të tij, rezulton se kanë qarkulluar në këtë linjë autobusash dhe kanë gjeneruar të ardhura.

Biletat kanë qarkulluar nëpërmjet Aldi Dukës, i autorizuar për tërheqjen e biletave të rregullta nga organet.

Albana Vrapi, e cili është një nga administratoret e subjektit së bashku me bashkëshortin e saj, është përgjegjëse për menaxhimin dhe mënyrën e krijimit të të ardhurave apo organizimit të brendshëm.Në lidhje me dokumentet e falsifikuara, pretendon se ka shkuar për të paraqitur kallëzim penal por nuk rezulton të jetë kryer ndonjë veprim.

Aldi Duka thotë se nuk arrin të shpjegojë si u gjetën këto bileta, por ekziston fakti që biletat e sekuestruara kanë qenë në përdorim dhe janë vulosur prej tij pasi ka patur akses në biletat e rregullta para se të kryehj shpërndajra në linja të ndryshme.

Në rastin e të pandehurit Ferdinand Ibrahimi, rezulton se një pjesë e biletave të falsifikuara u gjetën në autobusat e linjës së subjektit të tij. Këto bileta kanë qarkulluar përmes Klodiana Qatos. Ferdinandi nuk arrin të shpjegojë arsyen e mbajtjes së biletave në banesë e jo në zyrë apo nevojën për t’i nxjerrë fshehurazi me mjete të tjera pa u kuptuar nga punonjësit e policisë dhe për t’i hedhur e djegur në bashkëpunim me të birin. Sasia e gjetur në valixhen në automjet është shumë herë më e madhe se sasia e gjetur tek të pandehurit e tjerë.

Sa i përket Klodiana Qatos, pavarësisht se nuk ka dhënë shpjegime, nga të dhënat e administruara rezulton se akseson dhe kryen shpërndarjen e biletave tek punonjësit e tjerë, të cilëve u janë gjetur biletat e falsifikuar.

 

Fraksion.com