Biden akuzon Rusinë për ndërhyrje në zgjedhjet amerikane të vitit 2022
Rusia tashmë po ndërhyn në zgjedhjet për Kongres të vitit të ardhshëm në SHBA, tha Presidenti Joe Biden të martën në një fjalim në Zyrën e Drejtorit të Inteligjencës Kombëtare (ODNI).
Duke iu referuar raportit sekret të ditës të përgatitur nga komuniteti i inteligjencës për të, Biden tha: “Shikoni se çfarë po bën tashmë Rusia në lidhje me zgjedhjet e vitit 2022 dhe dezinformimin.”
Veprime të tilla nga Moska janë një “shkelje e pastër e sovranitetit tonë”, tha presidenti, pa shtjelluar më tej, në komentet tij para rreth 120 përfaqësuesve të komunitetit të inteligjencës amerikane që u mblodhën në veri të Virxhinias në selinë e ODNI-së.
Referenca publike e Preisdentit Biden për diçka që është sekret presidencial i ditës me siguri se do të shkaktojë reagime.
“Ai është president. Ai mund të deklasifikojë çdo gjë që dëshiron kur të dojë”, tha Emily Harding, zëvendës drejtore e programit ndërkombëtar të sigurisë në Qendrën për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare.
“Dhe nuk jam i sigurt se do të jetë shokuese për këdo që Rusia po shqyrton mundësinë e dezinformimit për zgjedhjet e vitit 2022. Mendoj se është vërtet një kujtesë e mirë që Rusia vazhdon ta bëjë këtë dhe se asgjë nuk i ka dekurajuar ata ende”, tha ajo.
Presidenti gjithashtu kishte një parashikim ogurzi për përshkallëzimin e sulmeve kibernetike që kanë në shënjestër Shtetet e Bashkuara, për të cilat administrata e tij ka fajësuar hakerët e mbështetur nga shteti në Kinë dhe ata që veprojnë pa u ndëshkuar në Rusi.
Presidenti Biden tha se ai beson se po rriten gjithnjë e më shumë gjasat që Shtetet e Bashkuara të “mund të përfundojnë në një luftë të hapur me një fuqi të madhe”, si pasojë e sulmeve kibernetike.
Aftësitë kibernetike të kundërshtarëve të Shteteve të Bashkuara “po rriten në mënyrë eksponenciale”, tha presidenti amerikan.
Presidenti rus Vladimir Putin dukej se ishte shumë në mendjen e zotit Biden gjatë komenteve të tij para komunitetit të inteligjencës.
Putini ka “armë bërthamore, puse nafte dhe asgjë tjetër”, tha Preisdenti Biden, duke shtuar se udhëheqësi rus e di se është në telashe të vërteta ekonomikisht, “gjë që e bën atë edhe më të rrezikshëm”.
Biden gjithashtu vlerësoi komunitetin e inteligjencës amerikane për epërsinë e tij ndaj homologëve të tij në Moskë.
Putini “e di që ju jeni më të mirë se ekipi i tij. Dhe kjo e shqetëson atë shumë”, tha Presidenti Biden.
“Unë e shoh se si kjo mund të nxisë një reagim nga Moska”, tha Harding për Zërin e Amerikës.
Presidenti Biden iu referua Rusisë dhe Kinës si “konkurentë vdekjepruës të së ardhmes”.
Në komentet e tij, presidenti amerikan tha se presidenti kinez Xi Jinping “është shumë serioz në përpjekjet për ta bërë Kinën fuqinë më të madhe ushtarake dhe ekonomike në botë” nga mesi i viteve 2040.
Biden bëri disa referenca ndaj armëve hipersonike të kundërshtarëve. Por ai u ndal duke thënë se “Unë nuk e di, ne ndoshta kemi disa njerëz në dhomë pa biografi të kontrolluar për këtë lloj informacioni”. Në fakt, një grup gazetarësh të Shtëpisë së Bardhë ishin të pranishëm dhe një kamera televizive po regjistronte fjalimin në emër të medias.
Presidenti gjithashtu i bëri thirrje ekipit të tij të inteligjencës, i cili përbëhet nga 17 agjenci të ndryshme, “që të më raportoni realitetin ashtu siç është. Unë nuk po kërkoj një paraqitje argëtuese. Kur nuk jeni të sigurt, thoni që nuk jeni të sigurt ”.
Presidenti Biden tha se “nuk mund të marrë vendime të duhura nëse ju nuk me jepni vlerësimet tuaja më të mira, të paanshme dhe pa paragjykime. Nuk po kërkoj të dëgjoj gjëra të këndshme. Dua atë që ju mendoni se është e vërteta.”
Këto fjalë janë “një gjë e madhe. Kjo është gjëja që ai ndoshta më së shumti kishte nevojë ta thoshte” për këtë audiencë të veçantë, thotë analistja Harding.
Presidenti Biden theksoi se agjencitë e inteligjencës nuk duhet të ndikohen nga partia politike që kontrollon Kongresin ose Shtëpinë e Bardhë. Ai tha se është “jetike që ju të jeni plotësisht të lirë nga çdo presion politik ose ndikim partiak”.
Presidenti Biden u zotua se gjatë mandatit të tij ai nuk do të përpiqet të “ndikojë ose ndryshojë gjykimet tuaja për atë që mendoni për situatat me të cilat përballemi. Unë kurrë nuk do ta politizoj punën që ju bëni. U jap fjalën për këtë. Kjo është tepër e rëndësishme për vendin tonë.”
Vizita e Presidentit të 46-të të Shteteve të Bashkuara në ODNI kishte për qëllim, pjesërisht, të demonstronte një marrëdhënie të ndryshme me komunitetin e inteligjencës nga ajo që ky komunitet pati me paraardhësin i tij, Donald Trump.
“Mendoj se të gjithë ju mund të bëni një kontrast të qartë”, u tha gazetarëve zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë një ditë më parë.
Qëndrimi i ish-presidentit Trump ndaj komunitetit të inteligjencës u acarua publikisht pasi ai doli në anën e Putinit në lidhje me raportin e qeverisë amerikane se Kremlini kishte ndërhyrë në zgjedhjet presidenciale të vitit 2016. Republikani Donald Trump mposhti me një rezultat të ngushtë rivalen demokrate Hillary Clinton në ato zgjedhje.