AktualitetPolitikëTë fundit

“Për ata që duan të na bashkohen”; Rama: Aplikimet bëhen në platformën e posaçme për sfidën e mandatit të tretë

Kryeministri Edi Rama ka ftuar të gjithë ata që dëshirojnë t’i bashkohen sfidës së mandatit të tretë, përmes nismës “Gati për Shqipërinë”.

Rama thekson se çdo i interesuar mund të aplikojë në platformën e posaçme www.gatipershqiperine.al, e cila është e ndarë sipas fushave të interesit.

Kryeministri ka publikuar edhe një video nga të rinj dhe të rejat jashtë Shqipërisë që kanë shprehur interesin duke iu bashkuar nismës “Gati për Shqipërinë”.

“MIRËMËNGJES, dhe duke informuar të gjithë ata që duan të na bashkohen në sfidën e Mandatit të Tretë, se tashmë aplikimet e të interesuarve për nismën “GATI PËR SHQIPËRINË” bëhen në platformën e posaçme www.gatipershqiperine.al ku mund të ndiqet edhe ecuria e procesit të seleksionimit, me ndarjet sipas fushave të interesit, ju uroj një ditë të mbarë”, shprehet Rama.

Platforma “Gati për Shqipërisë” do të jetë në dispozicion të të gjithë atyre, që kanë përfunduar studimet e nivelit të parë dhe të dytë, bachelor dhe master, me rezultate të larta, jashtë shtetit apo në Shqipëri.

Gjithashtu platforma është edhe për të gjithë ata, të cilët kanë dëshirë të kontaktojnë Kryeministrin apo anëtarët e tjerë të kabinetit qeveritar për të kontribuar në administratën publike, si: nëpunës; nëpunës digjital; ekspert i jashtëm për projekte ekzistuese apo ide të reja.

Në kuadër të nismës “Gati për Shqipërinë”, janë regjistruar 701 aplikime nga fusha të ndryshme, ku kryeson fusha e shkencave ekonomike me 154 aplikues, shkenca ekzakte me 118 aplikues, shkenca e jurisprudencës me 105 aplikues,  mjekësia me 82 aplikues, teknologjia e informacionit me 77 aplikues, shkenca sociale me 73 aplikues si dhe të tjerë në fusha të ndryshme si aviacioni, bujqësia, turizmi etj.

Deri tani janë realizuar 18 sesione dëgjesash me praninë e Kryeministrit Edi Rama, ku kanë marrë pjesë 483 aplikues, të cilët kanë ndarë eksperiencat e tyre akademike, profesionale, si dhe mënyrën si e mendojnë të kontribuojnë në Shqipëri.

 

Fraksion.com