Shkup: Dënohet ish-kryetari i Kuvendit për rastin e 27 prillit 2017
Këshilli gjyqësor i Gjykatës Themelore Penale në Shkup shpalli fajtorë të akuzuarit në rastin “Organizatorët e 27 prillit” dhe i dënoi me gjithsej 25 vjet burg.
Trupi gjykues arriti në përfundimin se të akuzuarit për krimin e “rrezikimit terrorist të rendit kushtetues dhe të sigurisë së vendit” janë fajtorë për organizimin e ngjarjeve më 27 prill të vitit 2017. Fjala është për ish-kryetarin e Kuvendit Trajko Veljanoski, ish-ministrin e Transportit Mile Janakieski, ish-ministrin e Arsimit dhe të Shkencës Spiro Ristovski si dhe ish-drejtorin e policisë sekrete DSK, Vladimir Atanasovski.
25 vjet burg për të akuzuarit
Sulmi ndaj Kuvendit dhe rrahja e deputetëve dhe gazetarëve nga ana e protestuesve të nismës “Për Maqedoni të përbashkët” ndodhi më 27 prill të vitit 2017, pasi nga shumica parlamentare për kryetar të Kuvendit u zgjodh një shqiptar, gjegjësisht Talat Xhaferi. Sipas Prokurorisë për ndjekjen e krimit të organizuar dhe korrupsionit, të akuzuarit e dinin saktë se çfarë po bënin dhe u shkaktuan trazira me qëllimin e vetëm për të parandaluar formimin e qeverisë nga shumica parlamentaree siguruar tanimë.
Ish-kryetari i Kuvendit Trajko Veljanovski është dënuar me 6 vjet e 6 muaj, ish-ministri i Transportit Mile Janakievski me 6 vjet e 3 muaj, ish-ministri i arsimit Spiro Ristovski me 6 vjet e 5 muaj dhe ish-drejtori i policisë sekrete me 6 vjet burg. Në hetim u përfshinë edhe ish-kryeministrin Nikolla Gruevski dhe ish-zbuluesi Nikolla Boshkovski, por procedura për ta është ndalur derisa nuk bëhen të qasshëm të organeve të ndjekjes.
Të akuzuarit kanë marë dënime më të ulta për veprën për të cilën janë akuzuar, sepse gjatë procesit gjyqësor kanë bashkëpunuar me organet e hetuesisë.
Trpkov: Dhuna e 27 prillit s’ka asgjë të përbashkët me demokracinë
Gjyqtari Ilija Trpkov gjatë shqiptimit të dënimeve tha se sulmi dhe dhuna e shfaqur më 27 prill të viti 2017 në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut nuk ka të bëjë asgjë me demokracinë dhe patriotizmin .
“Shteti mbrohet me zemër, me mendje dhe strategji të drejta. Nëse për çdo vendim me të cilin nuk pajtohemi hymë me dhunë në gjykatë, kuvend apo në cilin do qoftë institucion shtetror , atëhere nuk mund të kemi shtet ligjor”, tha gjyqtari Trpkov.
Prokuroria ka kërkuar që të dënuarve t’u ndërpritet arresti i shtëpisë dhe të dërgohen urgjentisht për vuajtjen e dënimit.
Në procesisn gjyqësor “27 prilli” qenë akuzuar gjithsejt 33 vetë prej të cilëve 5 deputetë.Të dënuar janë gjithsej 16 vetë, ndërsa të tjerët i kanë shpëtuar dënimit falë ligjit për amnesti, të miratuar në vitin 2018./DW
Fraksion.com