Alaskë, gara me makina mbi liqenin e ngrirë
Në Alaskë, Shoqata “Homer” e Garave mbi Akull ka organizuar çdo fundjavë që nga viti 1995 gara me makina mbi një liqen të ngrirë për anëtarët e saj dhe spektatorët. Për Zërin e Amerikës, Rafael de la Uz mori rrëfimin e njërës prej anëtareve të shoqatës, në veçanti për fillimet e saj në garat me makina mbi akull.
“Gara ime e parë ishte në një Ford Pinto rozë dhe e quajtën Poni Rozë. Po shkonim me babanë në qytet me makinë dhe kaluam pranë Liqenit Beluga ku pamë disa makina mbi liqen. Ç’po ndodh? Çfarë është kjo? Zbritëm poshtë. Kishte një tabelë ku thuhej se po transmetohej në radio. Ndezëm radion dhe po e dëgjonim. Shikonim dhe ishim thjesht të gozhduar mbi kroskot, vetëm duke e shijuar. Ishte fantastike, gjëja më fantastike që kisha parë ndonjëherë. Dhe pastaj dëgjojmë në radio, “Kërkojmë konkurrentë fëmijë”. Nuk guxoja të shpresoja. Askush nuk dëshironte që unë të ngisja makinën e tyre. Isha vetëm një vajzë, një vajzë e re. Vërtet nuk dija asgjë”, tregon Marina Brooks, tashmë Sekretare e Shoqatës “Homer” për Garat në Akull.
“Babai im thotë: “Le të futemi”. Kështu që, shkuam dhe u bëra nervoze. Kisha frikë, por u afrova dhe krejt papritur, çdo shofer po më thoshte, “Eja tek makina ime. Jo, eja tek makina ime. Eja, provo makinën time”. Dhe ma rriti vërtet besimin. U ndjeva mirë që nuk u interesonte nëse isha e re, ose që nuk dija asgjë, ose që isha një vajzë në një sport që supozohej se ishte për burra. Dhe kështu u afrova dhe ata më thanë, “A mund të ngasësh një makinë me marshe?”. Dhe unë thashë, “Paksa”. Ata thanë: “E mrekullueshme!” dhe më futën në një makinë”, thotë ajo.
“Ishte e pabesueshme. Dola në pistë dhe e bëra të gjithë garën në marsh të parë, pasi nuk mund ta arrija dot manivelin”.
“Ditëve të javës jam në shtëpi, por duke punuar. Burri im ka punën e tij dhe i duhet të dalë. Unë bëj gjithçka që duhet për t’u kujdesur për fëmijët në shtëpi. Ndonjëherë janë vizitat me mjekët dhe gjatë sezonit të garës kam gjithnjë në mendje se çfarë po bëj dhe çfarë kohe mund të kursejmë. Mblidhemi tashmë të premteve në mbrëmje dhe atëherë fillon gjithçka. Tashmë jeni në modalitet garash nga ora 6:00 pasdite deri të dielën në mbrëmje”.
“Nëse nuk është një aktivitet i orientuar përreth familjes, nuk dua të jem aty. Pra, nëse nuk forcon lidhjet familjare, nëse nuk jemi bashkë dhe nuk po ia kalojmë mirë, atëherë përse duhet ta bëj?”, thotë zonja Brooks.
“Kemi anëtarë të hershëm që nga vitet ’50 që janë ende këtu, por tani janë fëmijët dhe nipërit e mbesat e tyre dhe nganjëherë stërnipërit, që janë bërë pjesë e shoqatës. Dhe kjo është ajo që do të na ndihmojë për të ardhmen. Nëse fëmijët e mi vendosin që nuk duan të bëjnë gara në akull kur të vijë koha e tyre, që është më shpejt sesa unë do të doja, atëherë shoqata nuk do të zgjasë. Do të jemi vetëm unë dhe burri im derisa të mos mundemi më dhe askush tjetër nuk do ta vazhdojë dhe kjo është zhgënjyese”.
“Jemi me shumë fat që jetojmë në Alaskë, ku ka zona ku mund të merrni fëmijët për praktikë. Kjo është një nga arsyet pse unë i dua garat dhe pse më pëlqen të sjell fëmijët në shoqatë sepse ata bëhen shoferë në një moshë vërtet të re në mjedisin më të sigurt ku mund të gjenden. Kemi helmeta. Kemi shumë pajisje sigurie. Kemi fikëse zjarri. Ata janë në një makinë të blinduar. Ndonjëherë janë të lidhur në pesë pika. Ata janë në vendin më të sigurt të mundshëm, nëse diçka shkon keq”.
“Është një lloj aktiviteti i cili nuk ka kuptim, derisa merr kuptim. Të duket sikur thjesht po hedh para për diçka që nuk ju siguron asgjë tjetër përveçse që ja kaloni mirë. Por çfarë tjetër mund të bësh një të dielë pasdite së bashku me të gjithë familjen tënde?”, thotë zonja Brooks. “Çfarë tjetër?”./voa
Fraksion.com