Kina nuk do një inspektim të dytë nga OBSH-ja
Organizata Botërore e Shëndetësisë dëshiron të kontrollojë në fazën e dytë të ekzaminimeve mbi origjinën e koronës edhe laboratorët kinezë. Pekini reagon me zemërim dhe akuza ndaj OBSH-së.
Shefi i OBSH-së Tedros Adhanom Ghebreyesus kishte kërkuar të premten e kaluar që në fazën e dytë të ekzaminimeve mbi origjinën e virusit korona duhet të kontrollohen edhe laboratorët në Kinë. “Kontrollet e laboratorëve përkatës dhe të mjediseve të instituteve kërkimore” duhet të kenë përparësi në këtë kontroll, tha ai.
Menjëherë pasi filloi pandemia, pati spekulime se virusi mund të kishte dalë jashtë laboratorit për shkak të një aksidenti në Institutin e Virologjisë në Wuhan, në të cilin kryehen studime për llojet e virusëve korona. Qeveria kineze e mohon me forcë këtë.
Ekipi i ekspertëve ndërkombëtarë të dërguar nga OBSH-ja arriti ta vizitonte Wuhanin vetëm në janar – më shumë se një vit pas konstatimit të virusit dhe shpërthimit të pandemisë. Raporti përkatës u botua në fund të marsit por nuk dha ndonjë rezultat të qartë.
Dyshime për raportin e OBSH-së
Ekspertët e OBSH-së e klasifikuan teorinë e daljes së virusit nga laboratori si “jashtëzakonisht të pamundur”. Sipas tyre “ka të ngjarë madje shumë të ngjarë” që virusi ka kaluar tek njerëzit nga një lakuriq nate që ka shërbyer si bartës i ndërmjetëm.
Sidoqoftë rreth këtij raporti u ngritën shpejt mjaft dyshime. Shumë shtete shprehën shqetësimin se ekspertëve ndërkombëtarë nuk u ishin vënë në dispozicion të dhëna të ndryshme gjatë hetimit të tyre në Kinë. Shefi i OBSH-së Tedros tha javën e kaluar se teoria e daljes së virusit nga laboratorike ishte përjashtuar si mundësi “para kohe”./DW
Fraksion.com