AktualitetPolitikëTë fundit

“Dëgjomëni mua…”; Çfarë tregoi Rama për bujtinën “Maria” në Labovën e Kryqit

Një tjetër shembull suksesi në agroturizëm është bujtina e zonjës Maria në Labovën e Kryqit në Gjirokastër.

Maria, zonja që ka pasur shtëpinë e të parëve në këtë fshat, falë iniciativës së saj dhe mbështetjes nga Agjencia për Zhvillim Rural dhe Bujqësor, ka hapur bujtinën e parë në këtë fshat, ku sot u ndal Kryeministri Rama.

“Bujtina ‘Maria’, në Labovën e Kryqit, një shtëpi në parajsë, me njerëz të mrekullueshëm, ku gatuhet një bukë që duhet të vini ta shijoni. Dëgjomëni mua, se kam parë dhe nuk flas kot, flas me siguri të plotë”, tha Rama.

“Në Labovën e Kryqit kemi dy investime. Një të realizuar e një të kontraktuar nga Skema Kombëtare, nëpërmjet mbështetjes së programit që kemi për ngritjen apo rikonstruksionin e agroturizmit. Rasti që po shohim sot është zonja Maria, që këtu ka pasur shtëpinë e të parëve të vet. Plani ishte që shtëpia do rikonstruktohej, por në fakt është ringritur nga e para. E veçanta e këtij investimi është se është shtëpia e parë që hapet në Labovën e Kryqit për turistët. Qëllimi i programit është që të krijojë shembuj dhe modelin, në mënyrë që dhe shtëpitë e tjera të shërbejnë si kjo”, – u shpreh drejtoresha e AZHBR-së, Frida Krifca.

Kryeministri e vlerësoi këtë iniciativë të Marias, ndërsa tashmë falë rrugëve lidhëse të përfunduara në Labërinë e sipërme, rrugëtimi drejt fshatrave të tillë si Labova, jo shumë të njohur për turistët vendas e të huaj, është shumë më komod.

Qeveria shqiptare në mandatin e tretë të saj synon të rrisë më tepër mbështetjen për qytetarët që do të kthejnë shtëpinë e tyre në bujtinë.

Për çdo emigrant që kthehet dhe investon në shtëpinë e prindërve apo gjyshërve të tij qeveria do të japë një grant prej 5 mijë eurosh.

 

Fraksion.com