AktualitetPolitikëTë fundit

Ardian Isufi tërhiqet nga PD: Klani dhe mediokriteti nuk e pranon risinë

 Ardian Isufi, i cili nuk u zgjodh si anëtar në Këshillin e ri Kombëtar të PD-së bëri të ditur sot se tërhiqet nga kjo forcë politike dhe angazhimet e tij brenda saj, për të vijuar rrugën politike si i pavarur.
Ish-anëtari i Këshillit Kombëtar të PD-së, shprehet në një deklaratë se “përgjatë këtyre viteve i kam dhënë shumë kësaj partie, duke sakrifikuar gjithçka që lidhej me imazhin tim si artist dhe intelektual në çështjet publike”.
“I zhgënjyer dhe me keqardhje, sot jam i bindur të tërhiqem nga PD dhe angazhimet e mia ndaj saj. Me fisnikëri mendoj të vazhdoj rrugën time politike si i pavarur. Jashtë një strukture partie që vetëm i kam shtuar vlerat me imazhin tim si person publik!
Ky nuk është thjesht një reflektim pas kuvendit të PD apo atmosferës së krijuar në parti me një elitë të sforcuar. Ajo që kam kuptuar qartë është se insistimi im për të kontribuar në evidentimin e një “alternative të re të djathtë” për sinergji dhe marrëdhënie me publikun në një frymë bashkëkohore nuk është realisht prioritet i kësaj partie, sesa thjesht po kthehet një kopje e shëmtuar të partisë-shtet që sot është në pushtet”, thekson Isufi.
Tashmë jam i qartë, vijon Isufi, që këtë situatë nuk e ka prodhuar vetëm zoti Basha, por edhe një tufë e madhe funksionarësh në PD apo anëtarë kryesie që duhet të ishin dorëhequr shumë kohë më parë dhe që aktualisht janë të ezauruar në debatin publik dhe nuk i thonë më asgjë mbështetësit të djathtë apo votuesit shqiptar, por që nëpërmjet një “klani me tipare arkaike” mbajnë peng çdo orientim të ri apo nismë bashkëkohore brenda kësaj partie… shto këtu edhe një administratë që e ka zëvendësuar rolin e saj primar me politikëbërjen e kulisave, dhe si i thonë asaj fjalës së urtë popullore: “është bërë bishti më i rëndë se sqepari”.
“Kuptohet që edhe “hienat” e Universitetit të Arteve pranë PD-së e kanë realizuar me malinjitet të plotë përfoljen mbi figurën time, sepse thënë thjesht: “mediokriteti nuk e pranon risinë”. Ndoshta tërheqja ime nga Partia Demokratike mund të duket një “asgjë” në kushtet në të cilat ndodhet sot. Asnjëherë nuk ndjeva asnjë mbështetje në këmbim edhe pse kohë pas kohe kam propozuar projekte avangardë në shërbim të modernizimit të Partisë Demokratike dhe të djathtës në tërësi”, – tha Isufi.
Fraksion.com