Kuvendi Kombëtar i PD, Basha: 25 Prilli s’kishte lidhje me demokracinë, por dolëm më të fortë
Partia Demokratike ka mbledhur sot në ambientet e Pallatit të Kongreseve, Kuvendin Kombëtar që vjen pas zgjedhjeve për kryetarin e ri, ku Lulzim Basha u konfirmua në krye të kësaj force politike në mandatin e tretë.
Gjatë punimeve të Kuvendit, do të votohet për anëtarët e Këshillit të Kombëtar, ku nga 600 kandidatura do të zgjidhen 300 prej tyre. Nga këto jo më pak se 30% do të zgjidhen femra dhe jo më pak se 15% të rinj deri në 35 vjeç.
Kreu i PD-së, Lulzim Basha ka hapur punimet e Kuvendit ku kërkoi të mbahet 1 minutë heshtje për jetët e humbura si pasojë e COVID-19.
“Zoti iu dhëntë paqe shpirtrave të tyre dhe iu dhëntë forcë familjeve të tyre. Një bilanc tragjik që bëhet edhe më pikëllues prej indinjatës, ku lotëve të familjarëve, iu kundërvihet propaganda e qeverisë. Kur shqiptarët kishin nevojë për ndihmë, iu ofruan gjoba”- tha Basha në nisje të fjalës së tij.
Më tej, Basha u ndal në zgjedhjet e përgjithshme parlamentare duke theksuar se 25 Prilli nuk kishte asnjë lidhje me demokracinë, por se PD doli më e fortë dhe më e bashkuar.
“Edhe pse 25 prilli nuk kishte lidhje me demokracinë, edhe pse çdo padrejtësi që mund të bëhej, u bë për të penguar ndryshimin, ne dolëm më të fortë dhe më të bashkuar, sepse të gjithë bashkë luftuam me mish dhe me shpirt për të ndezur besimin dhe shpresën e njerëzve se një Shqipëri më e mirë është e mundur. Jo duke përdorur mjetet dhe modelin e Edi Ramës, por duke e përbuzur dhe refuzuar atë. Ne nuk hoqëm dorë nga mjetet e ndershme për të bërë politikë. Nuk u stepëm nga propaganda e shtrenjtë dhe meskine e regjimit, as nga llumi i krimit që sot është garniturë e një kryeministri ilegjitim, as nga oligarkët që si shushunja i janë turrur trupit të drobitur të Shqipërisë”, tha Basha.
Ai theksoi se “ne luftuam dhe besuam, sikurse ende besojmë, se mund t’i ndryshojmë gjërat në këtë vend pa u bërë më të këqij, më të pabesë dhe më të korruptuar se Edi Rama”.
Kreu i PD-së, tha se “të gjithë bashkë hymë në këtë betejë të pabarabartë, me programin më të mirë të hartuar në historinë e këtyre 30 viteve, fryt dhe prodhim i ekspertëve më të aftë të vendit dhe bashkëpunimit me institutet dhe institucionet prestigjioze të Perëndimit. Fryt i viteve të punës së bazuar mbi studime të gjendjes reale që e kemi prekur bashkë shtëpi më shtëpi, fshat më fshat, qytet më qytet, sipërmarrje në sipërmarrje me të gjitha grupet e interesit, në bashkëpunim të thellë dhe të hapur me të gjithë grupet shoqërore, me të papunët, me fermerët, me sipërmarrjen e vogël, me sipërmarrësit e mëdhenj, me prodhuesit, me eksportuesit, me mjekët dhe personelin shëndetësor, me arsimtarët, pedagogët dhe studentët, artistët dhe intelektualët, me elitën e mendjes dhe shpirtit të këtij vendi, me personat me aftësi të kufizuara, me të përndjekurit politikë dhe shoqatat e pronarëve që u bashkuan për herë të parë ndër vite me përfaqësuesit e tyre në PD përmes programit tonë”
Ai u shpreh se “ky program ishte i detajuar, me angazhime konkrete, për çdo sektor që vendosi gishtin tek plagët e shumta të vendit, që ofronte zgjidhje për të çliruar potencialin e çdo shqiptari, që çlironte dhe zhvillonte potencialin e Shqipërisë, të ndrydhur, të mpakur, të boshatisur, të ngecur në vendnumëro në 8 vite nga një fatkeqësi kombëtare që e quan veten qeveri”.
“Shqiptarët sot e dinë se problemet që ata hasin në punësim, arsimim, shëndetësi, biznes e kudo tjetër burojnë aty ku e ka gjenezën lufta jonë me regjimin: Te demokracia që shkatërrohet, tek zgjedhjet që vidhen, tek e drejta që shkelet. Dhe pa u fituar kjo luftë, për çdo shqiptar, të majtë apo të djathtë, atëherë çdo zgjedhje e lirë në jetën e secilit prej tyre, çdo përpjekje e gjithsecilit prej tyre për punësim, për arsimim për të patur një jetë më të mirë, do të jetë e pamundur”, deklaroi Kreu i PD-së.
“Masakra zgjedhore e 25 prillit nuk ndodhi në një ditë. Regjimi Rama-Doshi ka punuar ethshëm për të penguar me çdo mjet ndryshimin që shqiptarët kërkonin”, tha Basha.
Sipas tij, këto nuk janë vetëm konstatimet tona, por janë pjesë të raportit paraprak të OSBE ODIHR dhe Raportit të Delegacionit të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës.
Basha: Do luftojmë për ndarjen e politikës nga krimi
Basha shprehu angazhimin se do të luftojnë për ndarjen e politikës nga krimi, duke nënvizuar se “ne nuk e veshim kriminelin me kostum për ta futur në parlament dhe bashki”.
“Jemi ne që luftuam dhe luftojmë kundër kriminalizimit të politikës, dhe sfidës që krimi i organizuar po i bën çdo vlere të shoqërisë tonë me bekimin dhe ortakërinë e Edi Ramës, sepse ne nuk mund të pranojmë kurrë që institucionet publike të përqafojnë një model, që askush nuk do ta pranonte për familjen apo fëmijët e tij. Ne kemi luftuar dhe luftojmë që institucionet e shqiptarëve të jenë të lira nga ndikimi i krimit dhe në shërbim të qytetarëve”, theksoi Basha.
Sipas tij, “kur ky tumor përhapet në indet e një partie politike, metastazat e tij kapin gjithë shtetin, deri në atë pikë sa sot është e qartë se pushteti i rrëmbyer me masakrën zgjedhore, nuk i përket qytetarëve, as socialistëve, por ortakëve të Edi Ramës që blenë vota, shantazhuan, dhunuan, dhe në këmbim marrin kontrollin mbi ato institucione që i shërbejnë më mirë interesave të tyre kriminale”.
Ai tha se “kemi denoncuar korrupsionin marramendës të këtij regjimi, që duke përfituar nga vakumi i drejtësisë, e çoi Shqipërinë në një tatëpejtë të frikshme, duke e renditur të parën në Europë për korrupsion dhe të dytën në botë për ryshfetin që shërbëtorët dhe ortakët e Ramës u rrëmbejnë qytetarëve dhe sipërmarrjeve”.
Basha shtoi se “miliarda euro dëme ekonomike, të paktën 7 sipas raporteve të KLSH-së, që mund të ishin përdorur për të ndërtuar një të ardhme më të mirë për fëmijët tanë, shkuan në xhepat e regjimit Rama-Doshi”.
Sipas tij, “nga të dhënat e Bankës Botërore dhe BERZH ryshfeti që merr ky regjim u kushton bizneseve shqiptare 550 milionë euro në vit, ose 1.5 milionë euro në ditë, një shumë tre fish me e lartë se ajo që raportohej në 2013-ën”.
Përballë përmbysjes së marrëdhënieve të qytetarit me shtetin që ka prodhuar ky regjim i korruptuar, nënvizoi Basha, misioni i PD-së është t’ua kthejë qytetarëve kontrollin mbi shtetin e tyre.
Basha propozon Platformën Qytetare për Demokracinë
Në fjalën e tij, kreu i PD-së propozoi Platformën Qytetare për Demokracinë, si bashkëpunim me të gjitha grupet shoqërore që kërkojnë ndryshim
“Me forcën që na dhanë qytetarët në 25 prill, ne ftojmë shumicën e shqiptarëve që kërkojnë ndryshim rrënjësor në punët e vendit, dhe rezultate të prekshme për veten dhe fëmijët e tyre, që të ndërtojmë së bashku një Platformë Qytetare për Demokracinë. Ndërtimi i kësaj platforme do të ketë në themelin e saj rikthimin e legjitimitetit dhe demokracisë në vend”, tha Basha.
Ai shtoi se “do të bashkëpunojmë me të gjitha grupet shoqërore, Intelektualë, studentë, pedagogë, sipërmarrës, artistë, gazetarë, profesionistë, fermerë, të rinj e të reja që kërkojnë kthimin e normalitetit në vend, zgjedhje të lira, ndryshime kushtetuese dhe ligjore që garantojnë ndarjen dhe balancimin e pushteteve, që përmirësojnë përfaqësimin politik, që reformojnë ndarjen territoriale dhe demokratizojnë pushtetin vendor. Që mundësojnë ushtrimin e demokracisë së drejtpërdrejtë nëpërmjet referendumeve lokale dhe kombëtare, propozime për çlirimin e ekonomisë nga oligarkët dhe modelit të dështuar ekonomik që po i marrin frymën sipërmarrjes së ndershme, për lirinë dhe pavarësinë e medias, për shkëputjen përfundimtare të politikës nga krimi, ndryshime që e bëjnë shoqërinë realisht demokratike dhe e shpëtojnë shtetin nga kapja e një pakice që kërcënon të ardhmen e vendit”.
Ne nuk do të rreshtim përpjekjet tona brenda dhe jashtë vendit, deklaroi Basha derisa ndryshimi të vijë për shumicën e shqiptarëve që e donin këtë ndryshim në 25 prill, dhe e duan edhe më shumë sot, kur oferta e vetme që Rama ka, është më shumë krim, më shumë korrupsion dhe më shumë dështime.
“Ne do ta çojmë këtë Platformë Qytetare për Demokracinë edhe në Parlament, ku do të zhvillohet një pjesë e betejës tonë për rikthimin e legjitimitetit në vend. Dhe me forcën dhe besimin që na kanë dhënë qytetarët në 25 prill, do ta shndërrojmë atë në një aksion për t’i dhënë zgjidhje, dilemave që masakra zgjedhore vetëm i shtoi në jetët e shqiptarëve”, deklaroi Basha.
“Ne angazhohemi fort për ta kthyer shtetin shqiptar në shtet të shqiptarëve, në shtet europian dhe që mbron lirinë individuale, garanton paprekshmërinë e jetës, mbron pronën private dhe publike, mbron paratë dhe ekonominë e njerëzve, mbron dinjitetin dhe personalitetin e njeriut”, shtoi Basha.
Ai tha se 25 prilli nuk është një histori e mbyllur, por është një krim që kërkon ndëshkim. “Ne nuk e njohim atë, dhe autorët e saj duhet dhe do të mbajnë përgjegjësi për çfarë i kanë bërë vendit dhe demokracisë. Ne nuk do të rreshtim përpjekjet tona brenda dhe jashtë vendit, derisa ndryshimi të vijë për shumicën e shqiptarëve që e donin këtë ndryshim në 25 prill, dhe e duan edhe më shumë sot, kur oferta e vetme që Rama ka, është më shumë krim, më shumë korrupsion dhe më shumë dështime”, theksoi Basha.
Ai ftoi në këtë fushëbetejë, pa asnjë përjashtim, këdo që ka dëshirën të japë kontribut dhe ka vizione alternative. “Le të mos pengohemi nga romuzet nihiliste, dhe as kompleksohemi nga hipokrizia e atyre që nuk kanë ngritur një gisht për të penguar masakrën zgjedhore dhe relativizojnë të keqen. Beteja jonë nuk është me ta dhe as me PS. Ne jemi në luftë me modelin që Edi Rama ka ndërtuar brenda asaj force politike”, tha kreu i PD-së.
Basha dha një mesazh edhe për të gjithë ata, që sipas tij, për një motiv apo për një tjetër kanë parë të arsyeshme të luftojnë më shumë kundër PD-së se sa kundër Ramës.
“Dora ime do të mbetet përherë e shtrirë nëse doni t’i bashkoheni aksionit tonë, dhe t’i ktheheni vlerave tona, por kurrë më nuk do të kthej faqen tjetër ndaj gjithë atyre që sakrificat e demokratëve i shpërdorojnë për inate personale apo përfitime të përkohshme. 25 prilli tregoi se demokratët janë të bashkuar dhe ne duhet të bëjmë gjithçka që këtë bashkim zemrash dhe mendjesh ta drejtojmë kundër armikut të vetëm që kemi, regjimit Rama-Doshi”, përfundoi Basha.
Fraksion.com