Basha propozon ‘Platformën Qytetare për Demokracinë’: Bashkëpunim me grupet që kërkojnë ndryshim
Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, në kuvendin Kombëtar, ka propozuar Platformën Qytetare për Demokracinë, duke kërkuar bashkëpunim me të gjitha grupet shoqërore që kërkojnë ndryshimin.
“Ajo fillon duke u dhënë pushtet qytetarëve. Ndaj me forcën që na dhanë qytetarët në 25 prill, ne ftojmë shumicën e shqiptarëve që kërkojnë ndryshim rrënjësor në punët e vendit, dhe rezultate të prekshme për veten dhe fëmijët e tyre, që të ndërtojmë së bashku një Platformë Qytetare për Demokracinë”, tha ai.
Basha theksoi se ndërtimi i kësaj platforme do të ketë në themelin e saj rikthimin e legjitimitetit dhe demokracisë në vend.
“Ne do të bashkëpunojmë me të gjitha grupet shoqërore: Intelektualë, studentë, pedagogë, sipërmarrës, artistë, gazetarë, profesionistë, fermerë, të rinj e të reja që kërkojnë kthimin e normalitetit në vend. Që kërkojnë zgjedhje të lira, ndryshime kushtetuese dhe ligjore që garantojnë ndarjen dhe balancimin e pushteteve, që përmirësojnë përfaqësimin politik, që reformojnë ndarjen territoriale dhe demokratizojnë pushtetin vendor”, deklaroi ai.
Fraksion.com