Basha largohet para mbarimit të mbledhjes, Kadilli ironizon: Shpresoj të mos ketë orarin e gjumit, por nevojën e reflektimit
Anëtari i Kryesisë së PD-së, Fatbardh Kadilli, nuk la pa ironizuar me largimin e kreut të PD-së, Lulzim Bashës nga mbledhja e Kuvendit Kombëtar, pa dëgjuar fjalën e kritikut të tij.
Në fjalën e tij, Kadilli tha se uron që Basha të mos jetë larguar se i kishte ardhur ora e gjumit, por për të reflektuar.
” Do të kisha kënaqësinë të ndodhej në sallë edhe kryetari. Shpresoj që Basha nuk u largua se ka orën e gjumit, por se ka nevojën e reflektimit”, tha Kadilli.
Sipas Kadillit, Kuvendi i PD nuk ishte aspak i jashtëzakonshëm, por krejtësisht i zakonshëm, pasi nuk mandatoi një projekt politik për kryetarin që do t’i udhëheqë deri në zgjedhjet e radhës, për të shpëtuar partinë nga humbja e kryetarit.
“Duhet të vendosim rregullat që të ndajmë udhëheqjen politike nga drejtimi administrativ i partisë. Ne sot duhet të mandatonim një projekt politik me afat; të shpallnim mbështetje për kryetarin që do të na udhëheqë deri në zgjedhjet e radhës për një projekt dhe jo ta duartrokasim për mandatet e pakufizuara apo ta falënderojmë si bamirësi i partisë. Kjo për të shpëtuar partinë nga humbja e kryetarit. Të nxisim çdo demokrat e opozitar që të krijojë forumin e strukturën e vetë vepruese, të luftojë për kauzë e bindje dhe të jetë në hapësirën e demokracisë që arrijmë t’i sigurojmë”, theksoi ai.
Po ashtu ai nuk i kurseu as kritikat për mënyrën sesi është drejtuar PD, ndërsa u shpreh se qytetarët duan një parti të hapur. Sipas Kadillit, PD do të bëhet forcë e parë në vend, kur demokratët të bashkohen për ta bërë atë një parti më madhe se kryetari.
“Qytetarët duan një PD të pastër. Të pastër nga çdo njollë e të shkuarës. Kjo kërkon kurajo për tu ndarë nga çdo trashëgimi që na kompromenton, që na mban peng. Sado emocione te na lidhin me atë. Për tu ndarë nga çdo e keqe që kemi prodhuar ne vetë. Kjo kërkon vendosmëri për ti qëndruar larg tundimit, korruptimit. Një qeveri e korruptuar është një armik i qytetarit. Një opozitë e korruptuar është një tradhti ndaj qytetarit. Kush lufton për një PD të pastër ka bekimin e qytetarit. Qytetarët duan një PD të hapur, ku të kenë shpresën se gjejnë veten, gjejnë mbështetjen për kauzat e tyre, për vlerat e tyre, për interesat e tyre”, shtoi Kadilli.
Fraksion.com