Vendimi i Gjykatës Kushtetuese për Teatrin Kombëtar
Gjykata Kushtetuese ka zbardhur të plotë vendimin për çështjen e “Teatrit Kombëtar”, për të cilin shfuqizoi ligjin special për projektimin dhe realizimin e projektit urban të godinës së re të Teatrit Kombëtar dhe pezulloi ndërtimin e teatrit të ri, por la në fuqi shembjen e godinës.
Gjykata Kushtetuese rrëzoi vendimin e Këshillit të Ministrave për ta kaluar Teatrin Kombëtar në pronësi të Bashkisë së Tiranës, por Gjykata konstaton se prona ka qenë publike dhe shtetërore.
Lidhur me këtë të fundit, Gjykata Kushtetuese sqaron se: “Duke iu referuar objektit dhe përmbajtjes së VKM-së nr. 377/2020, Gjykata konstaton se ajo përcakton kalimin në pronësi të Bashkisë së Tiranës të godinave së Teatrit Kombëtar, si dhe ndërtimin e një godine bashkëkohore dhe me standarde të Teatrit Kombëtar, në konsultim me të gjitha grupet e interesit.
Në këtë mënyrë, ky akt, në vlerësimin e Gjykatës, krijon të drejta dhe detyrime jo vetëm për Bashkinë e Tiranës, së cilës i drejtohet formalisht në tekstin e saj, por edhe për një kategori individësh, të cilët nuk janë të përcaktuar dhe nuk mund të përcaktohen nominalisht, pra për një kategori individësh, të cilët shihen në mënyrë abstrakte dhe në tërësinë e tyre. Gjykata arrin në këtë përfundim duke mbajtur në konsideratë se prona, objekt i kësaj VKM-je, ka qenë publike dhe është shtetërore, dhe se qëllimi i VKM-së është ndërtimi i godinës së re të Teatrit Kombëtar në kuadër të realizimit të projektit të zhvillimit të asaj zone urbane, pra krijimi i një zone me interes publik”.
Një nga argumentet që dha gjykata për arsyen përse ligji 37/2018 cënon lirinë ekonomike është: “Në situatën kur ligji nuk përcakton pjesëmarrje në këtë procedurë vetëm të operatorëve ekonomikë privatë, por parashikon edhe bashkëveprimin e shtetit nëpërmjet vënies në dispozicion të pronës shtetërore, Gjykata vlerëson se dispozitat e ligjit nr. 37/2018 objekt kundërshtimi në gjykimin kushtetues duke parashikuar kriterin e marrëveshjeve të arritura dhe të nënshkruara me pronarët privatë që posedojnë pasuritë në zonën e zhvillimit të projektit, vendosin kufizim të lirisë së veprimtarisë ekonomike. Prandaj, ky kufizim do të vlerësohet në aspektin e respektimit të kritereve të vendosura nga neni 11, pika 3 dhe neni 17 i Kushtetutës, i cili është edhe testi që duhet të gjejë zbatim në çdo ndërhyrje në lirinë ekonomike dhe në të drejtat dhe liritë themelore të individit, bazuar edhe në praktikën e konsoliduar të Gjykatës”.
Gjykata Kushtetuese vlerësoi se edhe zbatimi i ligjit nr. 37/2018 (Për përcaktimin e procedurës së veçantë për vlerësimin, negocimin dhe lidhjen e kontratës me objekt “projektimi dhe realizimi i projektit urban dhe godinës së re të teatrit kombëtar) mund të sjellë pasoja të menjëhershme dhe të pariparueshme. Për rrjedhojë, bashkë me vendimin përfundimtar të datës 02.07.2021, vendosi pezullimin e zbatimit të ligjit nr. 37/2018 dhe të VKM-së nr. 377/2020 deri në hyrjen në fuqi të vendimit të saj.
Por gjykata ka lënë në fuqi vendimin për shkatërrimin e godinës së vjetër të teatrit. Arsyeja është sipas vetë gjykatës se anëtarët e gjykatës nuk kanë qenë të gjithë në një mendje nëse i takon kësaj gjykate që të japë vendime për raste të tilla. Në vendim thuhet se “Për kontrollin kushtetues të Vendimit të Këshillit B numër 50 të vitit 2020 nuk u arrit kuorumi i nevojshëm ligjor, pasi qëndrimet e gjyqtarëve u ndanë, për sa i takon juridiksionit të Gjykatës në lidhje me këtë akt. Në këtë kuptim, Gjykata vëren se, sipas ligjit, kur nuk formohet shumica prej 5 gjyqtarësh, kërkesa konsiderohet e rrëzuar. Për rrjedhojë, në kushtet kur nuk u arrit shumica e votave në lidhje me juridiksionin e Gjykatës për shqyrtimin e VKB-së së lartpërmendur, ky kërkim konsiderohet i rrëzuar pa u shqyrtuar bazueshmëria e tij.”
Gjithashtu Gjykata Kushtetuese shprehet se duke qenë se shembja e godinës së Teatrit Kombëtar ishte fakt, tashmë ligji nuk plotëson as karakteristikën e menjëhershmërisë, as të parandalimit të pasojës së rëndë dhe të pariparueshme, pasi nëse do të parandalohej pasoja e rëndë.
Lidhur me këtë të fundit, Gjykata sqaron se: “Ky ligj është botuar në Fletoren Zyrtare në datën 29.10.2018 dhe ka hyrë në fuqi në datën 13.11.2018 (15 ditë pas botimit të tij). Në datën 24.07.2019, Presidenti i është drejtuar Gjykatës për kundërshtimin e ligjit nr.37/2018. Gjykata ka vendosur në Mbledhjen e Gjyqtarëve, në datat 12.01.2021, dhe 2.02.2021, ta shqyrtojë kërkesën për pezullimin e ligjit në seancë plenare, duke konsideruar që shembja e godinës së Teatrit Kombëtar ishte fakt tashmë. (shih paragrafin 47 i vendimit). Nisur nga këto rrethana, ligji nuk plotëson as karakteristikën e menjëhershmërisë, as të parandalimit të pasojës së rëndë dhe të pariparueshme, pasi nëse do të parandalohej pasoja e rëndë, edhe Mbledhja e Gjyqtarëve do të duhej ta vendoste këtë masë që në muajt janar – shkurt të vitit 2021, kohë kur u plotësua kuorumi dhe çështja e pezullimit u mor në shqyrtim para seancës plenare.”
Fraksion.com