AktualitetBota+Të fundit

Mbledhja e të dhënave gjenetike nga Kina, sfidë për politikat globale

Një kompani kineze po mbledh të dhëna gjenetike përmes testeve para lindjes nga gratë shtatëzëna në më shumë se 50 vende për hulumtime mbi prirjet e popullatave, duke ngritur shqetësimin se një bazë kaq e madhe të dhënash të ADN-së mund t’i japë Kinës një avantazh teknologjik dhe strategjik për të dominuar fushën e farmaceutikës globale.

Analistët shprehin shqetësim me zhvillimet e raportuara ekskluzivisht nga agjencia Reuters, për kompaninë kineze BGI Group të gjeneve, e cila po mbledh të dhëna gjenetike përmes testit të saj për gratë shtatzëna NiPT.

Testet, që shiten në më shumë se 50 vende, mund të zbulojnë anomali të tilla si sindroma Daun, duke marrë ADN-në nga placenta rreth javës së 10-të të shtatzanisë.

Testet shiten në 52 vende, përfshirë Gjermaninë, Spanjën dhe Danimarkën, si dhe në Britani, Kanada, Australi, Tajlandë, Indi dhe Pakistan. Ato nuk shiten në Shtetet e Bashkuara, ku “këshilltarët qeveritarë paralajmëruan në mars se të dhënat gjenetike që kompania kineze BGI po grumbullon dhe analizon përmes inteligjencës artificiale, mund t’i japin Kinës një mundësi drejt avantazhit ekonomik dhe ushtarak”, njoftoi agjencia Reuters.

Mbledhja më e madhe dhe më e larmishme e gjeneve njerëzore mund të bëjë që Kina të dominojë farmaceutikën globale. Kjo mund ta bëjë Kinën të aftë të zhvillojë një ushtar gjenetikisht superior, ose të krijojë patogjenë të programuar për të vënë në shënjestër popullatën amerikane, ose furnizimin me ushqim, thanë këshilltarët amerikanë, sipas agjencisë Reuters.

Reggie Littlejohn, themeluese dhe presidente e grupit për të drejtat e grave “Women’s Rights Without Frontiers”, “Të Drejtat e Grave pa Kufij”, tha se për shkak të strategjisë së Kinës për integrimin e interesave ushtarake dhe civile, “çdo kompani kineze mund të detyrohet nga qeveria t’ia japë informacionin e saj ushtrisë”.

Kina i shet testet e shtatzanisë si “një produkt të mirë me një kosto më të ulët, sepse ata janë në gjendje ta bëjnë këtë”, tha zonja Littlejohn. “Por ajo që njerëzit nuk e kuptojnë është se kur bëjnë këto teste gjenetike me kosto më të ulët, informacioni i mbledhur shkon për ushtrinë kineze”, i tha ajo Zërit të Amerikës përmes një interviste.

Raporti i agjencisë Reuters thotë se kompania “ka punuar me ushtrinë kineze për të përmirësuar ‘cilësinë e popullsisë’ dhe për të luftuar humbjen e dëgjimit dhe frikën nga lartësitë tek ushtarët.”

Ministria e Punëve të Jashtme të Kinës e hodhi poshtë raportin, duke i thënë agjencisë Reuters se kjo ishte “një akuzë e pabazë dhe fushatë shpifjesh”.

Dan Harris, avokat ligjor ndërkombëtar dhe që shkruan në blogun “Ligjet e Kinës”, i tha Zërit të Amerikës se ai beson se vendet demokratike, të tilla si Shtetet e Bashkuara, Japonia, Korea, Australia dhe Bashkimi Evropian, do ta kuptojnë se “duhet të miratojnë ligje të veçanta për të trajtuar Kinën dhe mbledhjen e të dhënave nga Kina”.

Crystal Grant, shkencëtare e të dhënave dhe biologe molekulare, i tha Zërit të Amerikës se ky akumulim i ADN-së do të sfidojë politikat e gjenetikës në mbarë botën.

Huang Yanzhong, ekspert për shëndetin global në Këshillin për Marrëdhëniet me Jashtë, i tha Zërit të Amerikës në një intervistë televizive në shkurt se përparimet e shpejta në gjenetikë dhe bioteknologji kanë sjellë nevojën për të shtuar rregulloret për bashkësinë ndërkombëtare për të parandaluar abuzimin e të dhënave. “Nuk është vetëm Kina. Përparimi për kornizën ligjore në këtë fushë po mbetet prapa,” tha zoti Huang. “Është jetike që bashkësia ndërkombëtare të ulet dhe të hartojë një kornizë ligjore”.

Inxhinieria gjenetike

Studiuesit në të gjithë botën në sektorët akademikë, privatë dhe qeveritarë, janë duke përmirësuar teknikat dhe njohuritë e inxhinierisë gjenetike.

Interesi i Kinës në këtë fushë nuk është diçka e re. Në vitin 2018, studiuesi He Jiankui njoftoi se ai kishte krijuar gjenetikisht dy vajza binjake që mund t’i rezistonin virusit HIV duke përdorur një teknikë redaktimi gjenetik relativisht të re, të saktë dhe shumë të shpejtë të zhvilluar nga Shtetet e Bashkuara, e njohur si metoda CRISPR.

Në vitin 2019, një gjykatë kineze e shpalli atë fajtor për përdorimin e “praktikave të paligjshme mjekësore” dhe e dënoi me tre vjet burg.

Privatësia para lindjes

Agjencia Reuters nuk gjeti asnjë provë se kompania kineze BGI kishte shkelur marrëveshje apo rregulloret e privatësisë së pacientit. “Sidoqoftë, politika e privatësisë në faqen e internetit për testin NIFTY thotë se të dhënat e mbledhura mund të ndahen kur ato janë “drejtpërdrejt të rëndësishme për sigurinë kombëtare, ose sigurinë e mbrojtjes “në Kinë”, thuhet në raport.

Kompania BGI hodhi poshtë raportin e agjencisë Reuters, duke thënë se hulumtimet e saj përmbushin kërkesat kombëtare dhe ndërkombëtare.

“Të gjitha të dhënat nga testi NIPT të mbledhura jashtë shtetit ruhen në laboratorin e BGI-së në Hong Kong dhe shkatërrohen pas pesë vjetësh, siç përcaktohet nga Rregullorja e Përgjithshme e Mbrojtjes së të Dhënave (GDPR)”, thotë kompania në një deklaratë të publikuar më 9 korrik.

Kompania BGI theksoi se e zhvilloi vetë testin NIPT, dhe jo në partneritet me ushtrinë e Kinës.

Reuters intervistoi katër gra që kanë përdorur këtë test të kompanisë BGI në Poloni, Spanjë dhe Tajlandë. Ato të gjitha kanë firmosur formularin duke pranuar që të dhënat e tyre gjenetike do të ruhen dhe përdoren për kërkime, megjithatë ato nuk ishin të vetëdijshëm që informacioni i tyre gjenetik mund të përfundojë në Kinë. Avokati Harris, i tha Zërit të Amerikës se në shumicën e rasteve, njerëzit nuk e dinin se çfarë po nënshkruanin.

Një nga gratë, një 32-vjeçare nga Polonia, i tha agjencisë Reuters se ajo do të kishte zgjedhur një test tjetër, nëse do ta dinte që të dhënat e saj mund të përfundonin në Kinë dhe do të përdoreshin ndoshta për kërkime që përfshijnë aplikime ushtarake.

Autoritetet federale amerikane kanë vrojtuar mbledhjen e të dhënave nga kompania BGI. Bill Evanina, ish-drejtori i Qendrës Kombëtare të Kundërzbulimit dhe Sigurisë së Shteteve të Bashkuara, i tha programit 60 Minuta të kanalit CBS në janar, se ishte jashtëzakonisht i shqetësuar kur BGI ofroi të jepte pajisje testimi për COVID-19 në disa shtete amerikane vitin e kaluar.

“Duke e ditur që BGI-ja është një kompani kineze, kuptohet se ku po shkojnë të dhënat” – tha zoti Evanina. Ajo është një kompani që ka treguar ndërlidhje si me shtetin komunist ashtu edhe me aparatin ushtarak”.

Edward You, agjent special me FBI-në dhe ish-biokimist, i tha të njëjtit programi televiziv se autoritetet e Pekinit po shpresojnë që grumbullimi i sasive të mëdha të ADN-së njerëzore do të provojë të jetë një strategji e suksesshme./voa

 

Fraksion.com