Hungaria vendos që të aplikojë dozën e tretë të vaksinës kundër COVID-19
Kryeministri i Hungarisë, Viktor Orban njoftoi se doza e tretë e vaksinës do të administrohet në vend si pjesë e luftës kundër koronavirusit të ri (COVID-19).
Orban në fjalimin e tij të përjavshëm në radion shtetërore hungareze “Kossuth Radio”, tha se që nga 1 gushti në Hungari mund të merret datë për marrjen e dozës së tretë të vaksinës kundër COVID-19.
Sipas tij, kushdo që ka kaluar 4 muaj pas dozës së dytë mund të caktojë një termin për dozën e tretë. Orban tha se mjekët do të vendosin se cilën vaksinë do ta aplikojnë.
Ai tha se personelit të kujdesit shëndetësor do t’i kërkohet që të vaksinohen dhe u bëri thirrje atyre që nuk janë vaksinuar ende që të vaksinohen.
Sipas të dhënave të Ministrisë hungareze të Shëndetësisë në 24 orët e fundit u zbuluan 64 raste të reja me COVID-19 ndërsa numri i përgjithshëm i rasteve arriti në 808.725 dhe numri i viktimave u rrit në 30.015.
Fraksion.com