“Familja presidenciale e Vjosa Osmanit po e trajton Kosovën si monarki”; Këshilltari: Pagën e saj e ka përdorur në funksion të…
Këshilltari i presidentes Vjosa Osmani, Bekim Kupina iu është përgjigjur deputetes së PDK-së, Floretë Zejnullahu, që sot tha nga Kuvendi i Kosovës se “familja presidenciale e Vjosa Osmanit po e trajton Kosovën si monarki, pasi sipas saj marrin dhjetëra mijëra euro brenda një viti nga buxheti i Kosovës”.
Kupina në Facebook ka shkruar se presidentja Osmani e merr pagën e saj vjetore siç është paraparë me ligj.
“Nuk mjafton vetëm me u regjistru në listat e deputetëve të Kuvendit të Kosovës sa për të figuru. Deklarimi publik i një deputeti ka peshë, ndaj fake diskutimet shpërfaqin nevojën për protagonizëm. Për dallim prej më herët, Presidentja Osmani pagën e saj e ka përdorë në funksion të afirmimit të Kosovën kudo në botë, përmirësimit të imazhit të saj, porse nuk ka lobuar në copëtimin e territorit të saj. Është nder për qytetarët e Kosovës kësaj radhe kanë një përfaqësim të denjë nga Presidentja Osmani”, thotë ai.
“Qëndrimi i deputetes së PDK-së përkoi me ditën kur Raporti rajonal i BIRN-it e nxjerr Zyrën e Presidentes Osmani, institucioni më transparent në Ballkanin Perëndimor. Sipas Raportit të BIRN, të dhënat e Zyrës së Presidentit të mëparshëm ishin krejtësisht e kundërta; kërkesat për të drejtë informimi nuk merrnin asnjë përgjigje ose refuzoheshin pavarësisht detyrimit ligjor”, shtoi ai.
Kupina ka kërkuar nga deputetja e PDK-së që të gjurmojë faktet, para nxjerrjes së konkluzioneve.
“E nderuar deputete, përpara se të konstatoni, gjurmoni faktet, pastaj nxirrni konkluzione të qëndrueshme, jo sa për të thënë. Sa për ta përmbushur nevojën e diskutimit, e aq më pak sa për t`u bërë lajm në media online! Për më tepër, siç tregon formulari, paga e presidentit paraprak ka qenë e njëjtë me atë të Presidentes Osmani”, thotë ai.
Deputetja e PDK-së, Zejnullahi në seancën e plenare të Kuvendit ka thënë se presidentja dhe bashkëshorti i saj marrin mbi 70 mijë euro paga nga buxheti i Kosovës.
“Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani dhe bashkëshorti i saj, Prindon Sadriu marrin me dhjetëra mijëra euro vetëm paga nga buxheti i Kosovës. Familja presidenciale e Vjosa Osmanit po e trajton Kosovën si monarki, përderisa kjo familje nga buxheti i shtetit brenda një viti merr para më shumë se çdo qytetar i Kosovës. Familja presidenciale, Osmani-Sadriu i marrin paga mbi 70 mijë euro nga buxheti i Kosovës gjatë një viti, kur këto paga i krahasojmë me gjuhën e kryeministrit Kurti i cili ka mbetur në ishujt grek dhe nuk mund të kthehet në Kosovës as kur qytetarët po përballen me emergjencë shëndetësore mund të kuptojmë që qëllimi i tyre ka qenë thjesht pushteti dhe jo puna për qytetarët”, ka thënë deputetja e PDK-së./Gazeta Express
Fraksion.com