Rama: Mbërrijnë 340 mijë doza të vaksinës Coronavac, sasia më e madhe e mbërritur njëherësh
340 mijë doza të vaksinës Coronavac kanë mbërritur sot në mëngjes në Aeroportin “Nënë Tereza”.
Kryeministri Edi Rama thekson se kjo është sasia më e madhe e vaksinave e mbërritur njëherësh në vendin tonë.
Kreu i Ekzekutivit shprehet se numri total i vaksinave të mbërritur anë vendin tonë, tashmë e kalon shifrën 1 milion e gjysmë.
“Mirëmëngjes dhe me lajmin e mirë të mbërritjes pak minuta më parë të 340,000 dozave të vaksinës Coronavac në Aeroportin “Nënë Tereza”, sasia më e madhe e mbërritur njëherësh, që e çon në 1,578,790 numrin e vaksinave të mbërritura deri tani, ju uroj të gjithëve një ditë të mbarë”, shprehet Rama.
Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastirliu ka bërë të ditur se do të vijojnë edhe ditët e hapura të vaksinimit për grupmoshat mbi 18 vjeç si dhe do të ulet edhe fasha e vaksinimit.
Manastirliu ka theksuar se ky do të jetë një sezon, ku fokusi do të jetë tek vaksinimi dhe mbrojtja e jetës së çdo qytetari.
“Do të intensifikojmë vaksinimin anticovid, me ditët e hapura të vaksinimit masiv, vaksinimin derë më derë dhe uljen e fashës së vaksinimit, duke u dhënë mundësi sa më shumë qytetarëve të vaksinohen dhe të mbrohen nga Covid19”, shprehet ministrja.
Ndërkaq vaksinimi masiv vijon me kalendar të kombinuar, nëpërmjet njësive të lëvizshme në komunitet, krahas në pikat e përqendruara te vaksinimit dhe në qendrat shëndetësore.
Aktualisht po kryhet vaksinimi për personat mbi 50 vjeç dhe punonjës të institucioneve në kontakte direkte me qytetarët.
Në 24 orët e fundit janë kryer 6,433 vaksinime dhe prej fillimit të vaksinimit janë kryer në total 1,035,667 doza të vaksinës ndaj COVID19. Prej tyre 443,165 qytetarë i kanë marrë të dyja dozat e vaksinës antiCOVID.
Fraksion.com