AktualitetPolitikëTë fundit

Ndërtimi i maternitetit të ri në Tiranë; Rama: Për herë të parë qendër prematuriteti

Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se Materniteti i ri i Tiranës do të ketë jo vetëm rritje të kapaciteteve në 3-fish, por do të ketë edhe një qendër prematuriteti, për herë të parë në Shqipëri.

Në aktivitetin për ndërtimin e maternitetit të ri të Tiranës, ku do të ruhet godina historike e maternitetit “Mbretëresha Geraldinë” dhe do të zgjerohen kapacitetet për nënat dhe fëmijët, me supercilësi dhe standarde europiane, Rama tha se, “ky maternitet, i cili nisi të ndërtohej në fund të viti 1938 dhe përfundoi në vitin 1942, në një afat goxha mbresëlënës për kohën, ka vlera jo vetëm jetësore, për shkak të shërbimit që kryen, por ka edhe një vlerë të rëndësishme historike”.

“Mirëpo, njësoj si një sërë godinash të ndërtuara në atë kohë, edhe godina e këtij materniteti u sprovua nga dy tërmete, në shtator dhe në nëntor të 2019-ës dhe faktikisht u bë në një pjesë të vetën e papërdorshme”, tha Rama.

Kjo, shtoi kreu i qeverisë, “bëri që projekti, i ri i maternitetit, i cili ishte në proces. Sepse këtu ka nevojë dramatike për më shumë hapësirë për shërbimin, të përshpejtohej dhe ashtu siç u bë me të gjithë objektet, apo në të gjithë territorin ku tërmeti prodhoi një krizë të jashtëzakonshme për familjet, për shërbimet dhe për komunitetet, u shfrytëzua kjo krizë për të dalë shumë më të fortë prej saj”.

“Dhe faktikisht, sot ne jemi në kantier, për të dyfishuar kapacitetet e shtretërve, për të rritur numrin e sallave dhe për t’iu dhënë të gjithë mjekëve dhe infermierë, trupës së shërbimit, një hapësirë me standard dhe kushte shumë më cilësore”, theksoi Rama.

“Siç u tha këtu, materniteti do të ketë, jo vetëm rritje të kapaciteteve në 3-fish, por do të ketë edhe një qendër prematuriteti, për herë të parë në Shqipëri, si një risi në gamën e shërbimeve që ofrohen për të porsalindurit dhe në cilësinë e shërbimeve shëndetësore, po ashtu”, u shpreh Rama.

Patjetër, nënvizoi Kreu i Ekzekutivit, që të gjithë elementët e projektit të ri janë rezultat i analizës së hollësishme të nevojave dhe zgjerimi i godinës aktuale, po edhe rritja e konsiderueshme e nivelit të teknologjisë në këtë maternitet shkojnë së bashku me njëra-tjetrën.

Ashtu sikundër, shtoi Rama, “ky projekt dhe gjithë projektet e tjera të rindërtimit në sektorin e shëndetësisë ecin paralelisht me domosdoshmërinë për të rindërtuar sistemin deri në transformimin e tij të plotë, në aspektin e motivimit të trupës, e vlerësimit të mundit, e cilësisë së shërbimit për pacientët dhe patjetër edhe e efikasitetit të rritur të shërbimit, në sensin e një administrimi shumë më të arsyeshëm të burimeve financiare”.

”Dhe sot shëndetësia është në pararojë të gjithë procesit të transformimit. Reforma në shëndetësi është në një kantier të madh që i përfshin të gjitha këto kantiere më të vogla në raport me të”, tha Rama.

“Synimi për të realizuar autonominë spitalore jo si qëllim në vetvete, por si instrument për të rritur kapacitetin në të gjitha aspektet, është tanimë në një proces të avancuar. Ashtu sikundër është në një proces të avancuar edhe synimi për të krijuar një hapësirë të painfektuar komunikimi dhe ndërveprimi mes bluzave të bardha dhe pacientëve dhe familjeve të tyre”, theksoi Rama.

 

Fraksion.com