Zëri i Amerikës: SPAK shton goditjet, Shqipëria arreston ish zv.ministren e Brendshme
Në Shqipëri, Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) njoftoi në mbrëmje se me kërkesë të saj Gjykata ka vendosur në “arrest shtëpie” ish zëvendës ministren e Brendshme Rovena Voda si dhe dy persona të tjerë, Majlinda Hasani dhe Florida Beu, të treja nën akuzën e “ushtrimit të ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”.
Çështja i përket periudhës kur zonja Voda ka qenë ende në detyrën e zëvendës ministres së Brendshme, deri në korrik të vitit të shkuar. Sipas SPAK-ut dyshohet se ajo “ka pranuar dhe ka marrë përfitime monetare dhe materiale nga zonjat Hasani dhe Beu, me qëllim që të ushtronte ndikim të paligjshëm te persona të tjerë që ushtrojnë funksione publike për të favorizuar në mënyrë të padrejtë shtetasen Florida Beu, në mënyrë që kjo e fundit të emërohej, punonjëse në shërbimin civil në kategorinë ekzekutive”.
Sipas burimeve nga SPAK, mësohet se zonja Beu, nuk është punësuar. Zonjë Hasani ndërkohë, me profesion avokate , dyshohet që për shkak të marrëdhënieve miqësore me zëvendës ministren, të ketë bërë ndërmjetësen për punësimin e Beut.
Zonja Voda, u emërua në postin e zëvendës ministres së Brendshme në vitin 2017, duke qëndruar në këtë detyrë për më shumë se tre vjet.
Brenda 7 ditëve të fundit SPAK ka bërë disa goditje ndaj korrupsionit. Fillimisht në pranga përfundoi kryebashkiaku i Lushnjes Fatos Tushe dhe dhe 10 zyrtarë e punonjës të kësaj Bashkie, më pas u arrestuan 9 zyrtarë e ish zyrtarë të Ministrisë së Brendshme për tenderin me uniformat e policisë, ndërsa sot u vu nën akuzë dhe shkoi për gjykim ish kryebashkiaku i Pogradecit Eduard Kapir dhe zëvendësi i tij dhe katër persona të tjerë.
Fraksion.com