Topi: Berisha arkitekti i shkatërrimit të PD! Basha lider pa karakter, të tradhton rrugës
Një nga figurat historike të PD-së, Bamir Topi, thotë se opozita aktuale është në diktaturë dhe fajtor për këtë bën Lulzim Bashën, që e quan një lider pa karakter jo vetëm politik, por edhe si njeri. Jo më pak fajtor bën Sali Berishën, të cilin e cilëson se arkitekt të shkatërrimit të PD-së që e bën përgjegjës, mes të tjerave edhe për emërimin në krye të partisë, Lulzim Bashën. Këtë të fundit e quan lider të dështimin, për të cilin thotë se i ka gjetur të gjitha gjërat gati dhe mendon se në këtë mënyrë do bëhet edhe kryeministër. Ai shpreh keqardhje që njerëzit besojnë ende te kryedemokrati. Në studion e Report Tv, në emisionin ‘Repolitix’, Topi kthehet pas në kohë, në vitin 2005 dhe tregon se sa përshtypje i ka bërë marrëdhënia e Bashës me Berishën, ku ai sapo kishte ardhur në PD. Një kofidencë që nuk di ta shpjegojë se nga i vinte. Teksa shumë kush e cilëson raportin Berisha-Basha si të pandashëm, Topi e sheh në një tjetër këndvështrim. Një marrëdhënie që vjen nga detyrimi, pasi në të kundërtën Topi është i bindur se Basha do “i vinte stërkëmbëshin” Berishës.
“Berisha arkitekt i shkatërrimit të PD. Basha një njeri që i ka marrë të gjitha gati, është katapultuar, në 2005 e di dhe vendin kur kishim shkuar për të festuar përvjetorin e PD, në Durrës aty e kam parë për herë të parë, aty e pashë Bashën që ndryshe nga të tjerët kishte një komunikim shumë konfidencial me Berishën, më ka bërë shumë përshtypje, por në natyrën time nuk i bëja komente. Berisha dhe Basha marrëdhënie e pandarë, Basha të tradhton gjatë rrugës, por ka qenë i detyruar me një simbiozë politike, ky i ka marrë të gjitha pozicionet në mënyrën më të lehtë të mundshme, por pjesa më e madhe e njerëzve që e ngritën atë parti nga hiri, i ke të larguar, ardhja, marrja e disa pozicioneve lehtësisht, ke një lider pa karakter, dhe nuk flas për karakter politik, nuk ka karakter njerëzor, me këtë mund të ecësh dhe rrugës e sheh veten me stërkëmbësha.”, tha Topi.
Ai ka folur për herë të parë edhe për atë se çfarë ndodhi në selinë e blu, episodin ku Lulzim Basha u bë bashkëfajtorë me Sali Shehun dhe nënshkruan një marrëveshje fiktive, sikur FRD, partia e themeluar prej tij, pranonte koalicionin me PD-në, për t’u futur bashkë në zgjedhjet e 25 prillit. Mes vendimeve absurde të Bashës, cilëson edhe largimin e shumë figurave historike nga PD-ja, mes tyre edhe Jozefina Topallin, edhe pse raportet mes tyre nuk kanë qenë asnjëherë të mira.
“Basha ka dalë dhe ka thënë që ka nënshkruar marrëveshjen me Topin, ku ishte firma ime?. Të nesërmen kjo gjë është marrë vesh vetëm pas dorëheqjes sime, Basha u bë bashkëfajtor i një akti zyrtar ku unë nuk isha prezent, kur je në opozitë ti duhet të demonstrosh akte të larta të karakterit dhe sinqeritet, por kur del lakuriq në opozitë çfarë pret nga njerëzit. Berisha ishte lider i ashpër, ka problemet e veta, ka pasur edhe kontribute, ky është lider pa karakter, nuk mund të fshihet asgjë mbi maskën e buzëqeshjes. Si mund të largosh njerëzit e kontributeve të mëdha, unë kam pasur probleme me Topallin, por si mund ta largosh Topallin, di mjaft raste që ka qenë duke lënë kokën për PD-në, mbi ç’bazë”, tha Topi.
Të ardhmen për opozitën, e veçanërisht për PD-në e sheh të zymtë. Njëjtë, edhe atë se çfarë do të ndodhë të shtunën me mbledhjen e Kuvendit Kombëtar.
“Po ça Kuvendi? Dritë në fund të tunelit për PD? Nuk shoh as tunel të projektuar e jo më të çpuar”, tha Topi. Mes kësaj të ardhshme të zymtë, ku e sheh veten Topi? “Unë do jem vetëm në qetësinë time, do të shkruaj, kur të më ftosh në studio do vij të flas dhe të falënderoj që je një mendje e hapur në një studio të hapur se shumë studio të tjera kanë vendosur mure se kur bëhet fjalë për pisllëkun e madh janë përfshirë të gjithë. Nuk pres një ftesë nga kryeministri Edi Rama”, përfundoi ai përballë gazetarit Denis Minga./Report.tv
Fraksion.com