Dalin pamjet e rënda; Pas masazhit, e përplasi me makinë, si u vra 28-vjeçari shqiptar në Britani (Video)
Publikohen pamjet e rënda të vrasjes së një shqiptari në Britaninë e Madhe, i cili siç shihet në videon që nxjerrin mediet britanike, përplaset qëllimisht me makinë.
Ngjarja e rëndë ndodhi më 26 Dhjetor të vitit të kaluar në, ndërsa viktimë ka mbetur 28-vjeçari Shkëlzen Taka, i cili kishte shkuar në një qendër masazhesh, së bashku me një shok tjetër po nga Shqipëria, ku u përplas fillimisht verbalisht me një 27-vjeçar britanik.
Ky konflikt do të ishte i fundit për të, pasi pasojat do të ishin tragjike. Tony Green, autori i ngjarjes, po linte qendrën e masazheve, kur ka parë Takën dhe ka pasur me të debatin e fortë verbal. Ata nuk njiheshin më parë dhe siç duket nga pamjet e publikuara nga policia e West Midlands, duket që Green po kërkonte sherr.
Për herë të parë është publikuar edhe fotoja e autorit, i cili ka hipur në kofanon e makinës tip “BMW” të Takës dhe i ka shkatërruar xhamin e përparmë. Pastaj nisi të largohej, por gjithsesi u kthye edhe njëherë dhe përplasi parakolpin e mjetit shqiptarit. Taka reagoi dhe e ndoqi 27-vjeçarin britanik me një send në dorë ku kërkonte t’i dëmtonte mjetin. Pas disa sekondash, Green ndaloi dhe filloi të lëvizte mbrapsht. Në këtë çast, Taka u ngjit në trotuar dhe ky do të ishte momenti i fundit.
Makina “Skoda” e britanikut eci me shpejtësi dhe përplasi shtyllën e një shenje rrugore, e cila më pas ra mbi Takën duke i shkaktuar dëme të rënda në kokë. Green nuk ka ndaluar për asnjë moment derisa ka shkelur edhe Takën. Pastaj është larguar dhe në të njëjtën ditë autori dogji makinën.
Britaniku mohoi që të ketë prishur provat dhe tha se e kishte futur mjetin gabimisht në marshin mbrapsht. Por të hënën jurisë iu desh vetëm 1 orë për të vendosur që ai po gënjente. Ata e shpallën 27-vjeçarin fajtor për vrasje. Të enjten do të jepet vendimi, ku pritet që të jepet dënim me burgim të përjetshëm. Në seancën e gjyqit ka folur një prej miqve të Takës, që ndodhej me të në momentin e ngjarje.
Ramzan Rizvani ka thënë se kishte shkuar me viktimën për të kërkuar prostituta pasi kishin dalë për një ditë pas Krishtlindjeve. “Do të shkonim në një vend ku kishin prostituta. Jemi djemë të rinj. Pranova të shkoja. Nuk mendoja se do të vriteshim”, tha ai.
Fraksion.com