AktualitetRajoniTë fundit

Bullgaria nxjerr rezultatet finale të zgjedhjeve

Rezultatet finale të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Bullgari i konfirmuan ato preliminare, të cilat e nxorën fituese partinë “Ka një popull të tillë” kundrejt koalicionit GERB, të udhëhequr nga ish-kryeministri Boyko Borisov.

Me të gjitha votat e numëruara, partia e prezantuesit televiziv, Slavi Trifonov, doli e para me 24.08 për qind të tyre, ndërsa GERB fitoi 23.51 për qind, bëri të ditur Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në Bullgari.

Zgjedhjet parlamentare të 11 korrikut u mbajtën vetëm tre muaj pas një procesi tjetër zgjedhor, që nuk prodhoi rezultat vendimtar.

Vota për të hyrë në Parlament fituan edhe katër parti të tjera në Bullgari – më së shumti prej tyre Partia Socialiste, me 13.39 për qind.

Partitë dhe koalicionet e tjera dështuan të kalojnë pragun prej 4% të votave.

Parlamenti i Bullgarisë ka 240 ulëse dhe të drejtë vote kishin rreth 6.7 milionë qytetarë.

Vëzhguesit ndërkombëtarë nga Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) thanë se zgjedhjet “ishin konkurruese” dhe se “liritë themelore në përgjithësi u respektuan”.

 

Fraksion.com