AktualitetBota+Të fundit

Zjarr në pavijonin e Covid-19 në Irak: 92 viktima, ndërsa familjarët protestojnë

Të paktën 92 persona kanë mbetur viktima të një zjarri në një pavijon të të sëmurëve me Covid në një spital në qytetin irakian të Nasiriya.

Pjesa më e madhe e sistemit të kujdesit shëndetësor në Irak është në gjendje të keqe pas viteve të konfliktit dhe të afërmit e zemëruar të viktimave kanë protestuar jashtë objektit.

Policia thotë se zjarri në spitalin al-Hussein filloi kur shkëndijat nga instalimet e gabuara elektrike u përhapën në një bombol oksigjeni, duke shkaktuar shpërthimin.

Kryeministri Mustafa al-Kadhimi urdhëroi arrestimin e shefit të spitalit. Zyrtarët shëndetësorë thonë se më shumë se 100 vetë u plagosën.

Në prill një zjarr në një spital në Bagdad vrau më shumë se 80.

Z. Kadhimi tha që të dy zjarret ishin “një plagë e thellë në ndërgjegjen e të gjithë irakianëve”.

Kryetari i parlamentit irakian, Mohammed al-Halbousi, shkroi në Tëitter se flakët e Nasiriya ishin “prova e qartë e dështimit për të mbrojtur jetën e Irakut dhe është koha t’i jepet fund këtij dështimi katastrofik”.

Agjencia e lajmeve Reuters raportoi përplasje midis demonstruesve dhe policisë në vendngjarje dhe dy automjete policie u dogjën.

Pavijoni i ri kishte hapësirë ​​për 70 shtretër dhe u ndërtua vetëm tre muaj më parë, thanë zyrtarët mjekësorë për agjencinë e lajmeve Associated Press. Një zyrtar shëndetësor tha se të paktën 63 njerëz kishin qenë brenda kur filloi zjarri, ndërkohë që operacioni i kërkimit po vazhdon.

 

Fraksion.com