AktualitetTë fundit

SPAK: “Arrest shtëpie”për ish zv.ministren e Brendshme Rovena Voda, mori ryshfet për punësime në shtet

Pas hetimeve të SPAK, Gjykata e Posaçme ndaj Korrupsionit ka vendosur ‘arrest shtëpie’ për ish zëvendësministren e Brendshme, Rovena Voda, e cila akuzohet se ka përfituar para dhe të mira materiale për të punësuar një grua. Burime për Report Tv thonë se Voda ka marrë rreth 2000 euro për futur në punë Florida Beun.

Voda në cilësinë e Zëvendësministres në Ministrinë e Brendshme, sipas SPAK, ka marrë para dhe të mira materiale të padrejta nga dy gra Majlinda Hasani, avokate dhe Florida Beu, për punësimin e kësaj të fundit në shërbimin civil në kategorinë ekzekutive në Ministrinë e Brendshme. Majlinda Hasani, avokate nga Durrësi ka luajtur rolin e ndërmjetëses për marrjen e ryshfetit.

Burime bëjnë me dije se dyshohet se gjatë gjithë kohës që ishte zv.ministre, Voda ka marrë para dhe dhurata për të punësuar persona në shtet.

“Nga veprimet hetimore të kryera për këtë procedim penal në bashkëpunim me policinë gjyqësore të Drejtorisë së Policisë së Shtetit, janë siguruar dhe janë mbledhur prova konkrete, nga të cilat janë krijuar dyshime të arsyeshme se shtetësja Rovena Voda në cilësinë e zëvendësministres në Ministrinë e Brendshme ka pranuar dhe ka marrë përfitime monetare dhe përfitime material të padrejta nga shtetaset Majlinda Hasani dhe Florida Beu.

Përfitimet monetare dhe material të padrejta në këtë rast janë dhënë dhe janë pranuar me qëllim që shtetësja Rovena Voda të ushtronte ndikim të paligjshëm tek persona të tjerë që ushtrojnë funksione publike për të favorizuar në mënyrë të padrejtë shtetasen Florida Beu në mënyrë që kjo e fundit të emërohej punonjëse në shërbimin civil në kategorinë ekzekutive”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.

Ndërkohë, hetimet paraprake për këtë procedim penal janë në vazhdim e sipër dhe nuk kanë përfunduar ende. Kujtojmë se më 30 korrik të vitit të kaluar, Rovena Voda u lirua nga detyra si zv.ministre e Brendshme.

NJOFTIMI I SPAK

“Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar Tiranë ka zhvilluar hetime në kuadër të procedimit penal që bën fjalë për veprën penale “Ushtrim i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, e kryer në bashkëpunim, si dhe për veprën penale “Ushtrim i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”.

Nga veprimet hetimore të kryera për këtë procedim penal në bashkëpunim me policinë gjyqësore të Drejtorisë së Policisë së Shtetit, janë siguruar dhe janë mbledhur prova konkrete, nga të cilat janë krijuar dyshime të arsyeshme se shtetasja Rovena Voda, në cilësinë e zëvendës ministres në Ministrinë e Brendshme ka pranuar dhe ka marrë përfitime monetare dhe përfitime materiale të padrejta nga shtetaset Majlinda Hasani dhe Florida Beu.

Përfitimet monetare dhe materiale të padrejta në këtë rast janë dhënë dhe janë pranuar me qëllim që shtetasja Rovena Voda të ushtronte ndikim të paligjshëm te persona të tjerë që ushtrojnë funksione publike, për të favorizuar në mënyrë të padrejtës shtetasen Florida Beu në mënyrë që kjo e fundit të emërohej punonjëse në shërbimin civile në kategorinë ekzekutive. Në kuadër të hetimeve paraprake të këtij procedimi penal, me kërkesë të Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar Tiranë, me vendimin me nr. 57, datë 13.07.2021 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar Tiranë është vendosur:

Caktimi ndaj shtetases Rovena Voda të masës së sigurimit personal “arrest në shtëpi”, si e dyshuar për veprën penale “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”.
Po kështu arrest shtëpie është vendosur dhe për shtetaset Florida Beu dhe Majlinda Hasani, si të dyshuara për veprën penale “Ushtrim i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, e kryer në bashkëpunim.

Shërbimet e policisë gjyqësore të Drejtorisë së Policisë së Shtetit kanë ekzekutuar sot masën e sigurimit personal të vendosur ndaj Vodës, Hasanit dhe Beut. Hetimet paraprake për këtë procedim penal janë në vazhdim e sipër dhe ende nuk kanë përfunduar.”

Fraksion.com