AktualitetBota+Të fundit

Presidenti Biden shpreh mbështetjen për popullin e Kubës

Ndërsa në Kubë u zhvilluan protestat më të mëdha kundër qeverisë ndër dekada, Shtetet e Bashkuara shprehën mbështetje për popullin kuban, ndërsa mohuan akuzat e qeverisë se ShBA qëndron pas trazirave. Ndërkohë, Ministri i jashtëm i Bashkimit Evropian, Josep Borell, kërkoi nga qeveria kubane të dëgjojë pakënaqësitë e protestuesve. Organizata Amnesty International i quajti protestat e së dielës si ditë historike për Kubën, ndërsa shprehu shqetësimin rreth raportimeve për ndërprerje të internetit, arrestime arbitrare dhe përdorimin e madh të forcës.

Presidenti Joe Biden shprehu mbështetjen për popullin kuban, duke theksuar të drejtën e qytetarëve për të protestuar në mënyrë paqësore.

“Populli kuban po kërkon lirinë nga një regjim autoritar. Nuk mendoj se kemi parë diçka si kjo protestë për një kohë të gjatë. Shtetet e Bashkuara qëndrojnë fuqishëm me popullin e Kubës, ndërsa ata kërkojnë të drejtat e tyre. Ne i bëjmë thirrje qeverisë kubane që të përmbahet nga dhuna, ose përpjekjet për të heshtur zërin e popullit”, tha zoti Biden.

Në protestën e së dielës demonstruesit kërkuan liri dhe unitet, ndërsa shprehën zemërimin e tyre për radhët e gjata për ushqim, ndërprerjet e energjisë elektrike dhe furnizimin me ilaçe gjatë pandemisë.

Sipas grupit Cubalex policia arrestoi rreth 100 protestues, aktivistë dhe gazetarë të pavarur në të gjithë vendin.

Por Presidenti kuban Miguel Diaz-Canel i cilësoi protestat si trazira shoqërore të nxitura nga politikat shtypëse ekonomike të Shteteve të Bashkuara.

“Media sociale e financuar mirë i ka drejtuar gjithë goditjet në problemin e energjisë elektrike, të cilin e kemi sqaruar një herë dhe nuk do ta përsërisim. Problemi i mungesave të ushqimeve dhe barnave vjen nga dyqanet që shesin në valuta të huaja. Të gjitha problemet në shoqërinë tonë tani, pakënaqësitë e kanë burimin tek bllokada”, tha ai në mbledhjen e së hënës me kabinetin e tij.

Shtëpia e Bardhë i mohoi aludimet se Shtetet e Bashkuara qëndrojnë pas trazirave.

“Ka shumë tregues se protestat e djeshme ishin reagime të njerëzve në Kubë, të lodhur nga qeverisja e udhëheqësve, keqmenaxhimi ekonomik dhe shtypja kundër popullit”, tha Jen Psaki, zëdhënëse e Shtëpisë së Bardhë.

Kuba ndodhet nën regjimin komunist që nga viti 1959, pas revolucionit të udhëhequr nga Fidel Kastroja që detyroi diktatorin Batista të largohej nga ishulli.

Shtetet e Bashkuara vendosën embargo tregtare ndaj Kubës më 1962, e cila u lehtësua në vitin 2000 pasi Kongresi miratoi një ligj që u lejonte bizneseve amerikane shitjen e ushqimeve dhe ilaçeve në Kubë.

Në janar 2021 ish Presidenti Donald Trump vendosi sanksione të reja në ditët e fundit të administratës së tij, duke e ripërcaktuar vendin si një shtet që financon terrorizmin./voa

 

Fraksion.com