“Prangosen dy persona në Mirditë”; Operacioni “ Rrënja e Zezë ” i kap 20 kg drogë në makinë
Janë vënë në pranga dy persona në fshatin Rrënja e Zezë në Mirditë pasi gjatë kontrollit të policisë në makinë u janë gjetur 20 kg kanabis.
Gjatë udhëtimit, makina drejtohej nga Odison Jaku, ndërsa Roland Papa ishte pasagjer, përkatësisht 22 dhe 37 vjeç.
Sipas policisë, materialet iu referuan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Lezhë, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” kryer në bashkëpunim.
Njoftimi
Mirditë, Lezhë
Finalizohet një tjetër operacion për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e narkotikëve. Operacioni policor i koduar “ Rrenja e Zezë ”, i zhvilluar nga DVP Lezhë dhe Komisariati i Policisë Mirditë. Sekuestrohen 20 kg lëndë narkotike e dyshuar cannabis sativa, 1 automjet dhe 3 aparate celularë. Vihen në pranga 2 shtetasit që posedonin lëndën narkotike.
Në vijim të punës për parandalimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e prodhimit dhe shitjes së narkotikëve, bazuar dhe në informacionet e marra në rrugë operative se 2 shtetas që po qarkullonin me automjet dyshohej se po transportonin lëndë narkotike, shërbimet e Policisë kanë organizuar punën dhe në fshatin Rrenja e Zezë, Mirditë, kanë identifikuar mjetin e dyshuar dhe kanë bërë të mundur ndalimin e tij.
Gjatë kontrollit të automjetit tip “Benz” me drejtues shtetasin O. J. dhe pasagjer shtetasin R. P., në bagazh janë gjetur dhe sekuestruar 20 kg lëndë narkotike e dyshuar cannabis sativa.
Në vijim të veprimeve, specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve bënë arrestimin në flagrancë të shtetasve O. J., 22 vjeç banues në Mirditë dhe R. P., 37 vjeç, banues në Lezhë. Vijon puna për identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale. Materialet iu referuan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Lezhë, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” kryer në bashkëpunim.
Fraksion.com