Kanabis në serrat e shtetit; Justifikohet me faktin se është laborator
Pas skandalit të videos së Ministrisë së Bujqësisë, ku krahas domateve të mbjella në serë shikohen edhe bimë kanabisi të mbjella, ka edhe një reagim nga ky institucion.
Në serën shtetërore që ndodhet në Lushnje konfirmohet se është kultivuar hashash.
Pamjet e bimës narkotike u shfaqën gjatë vizitës së ministres së bujqësisë Milva Ikonomi në qendrën e transferimit të teknologjisë në Lushnje.
Menjëherë nisën diskutimet ndërsa ministria e bujqësisë vetëm pas dy ditësh sqaroi se përse hashashi ndodhej në fermën shtetërore.
Ne shkuam në serën ku ndodhet bima narkotike për të mësuar më shumë.
Drejtori i qendrës shpjegon se sera shërben edhe si laborator për policinë dhe prokurorinë.
Këto janë edhe dokumentet shoqëruese nga policia dhe prokuroria e shtetit që këtë serë e përdor si laborator prej dy vitesh për shkak se tërmeti e shkatërroi qendrën e ngjashme në Fushë Krujë.
Dje në këtë qendër ra edhe zjarr i cili u komentua se ishte i qëllimshëm për të fshehur apo zhdukur bimët narkotike.
Njoftimi për shtyp:
Në vijim të disa raportimeve dizinformuese në media të ndryshme informojmë si më poshtë:
Qendra e Transferimit të Teknologjive Bujqësore (QTTB) Lushnjë, ka në objektin e punës kërkimin/transferimin e teknologjive bujqësore për kulturat perimore dhe grurin si dhe identifikimin, testimin, përshtatjen e metodave dhe inputeve të reja në praktikat bujqësore. Kjo qendër disponon edhe një serrë për prodhimin dhe testimin e fidaneve të llojeve të ndryshme.
QTTB Lushnjë, në fushën e saj të veprimtarisë bashkëpunon me ente publike dhe private. Në këtë kuadër, bazuar në kërkesat e Prokurorisë /Policisë së Shtetit, kryen për llogari të hetimeve të tyre mbjelljen e farërave të bimeve të dyshuara si bimë narkotike. Bimet në fjalë janë mbjellë sipas kërkesës së tyre më shkresën numër 369, datë 4.05.2021.
Kjo formë e bashkëpunimit është e hershme dhe e vazhdueshme midis QTTB-ve dhe Prokurorisë/Policisë, në funksion të evidentimit të farërave të dyshuara nëpërmjet mbjelljes dhe rritjes deri në një fazë të caktuar.
Që prej vitit 2010 kjo procedure bëhet sipas një protokolli të përcaktuar qartë, që fillon nga marrja në dorëzim e farërave, mbjellja e tyre, shërbimet dhe dorëzimi i bimëve sipas dokumentacionit përkatës. Për mbjelljen e këtij numri të kufizuar bimësh shfrytëzohen të njejtat ambiente që përdoren edhe për kultivimin e bimëve të tjera.
Gjithashtu në vijim të sqarimit të opinionit publik referuar lajmeve të fundit mbi një zjarr të rënë në QTTB Lushnjë, informojmë se ky informacion është i pasaktë. Bëhet fjalë për një zjarr në një sipërfaqë të kufizuar toke në distancë me këtë qendër, ku digjeshin mbeturina kashte (hamullash) pas korrjes së grurit. Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural mbetet e hapur dhe në dispozicion për cdo informacion tjetër që mund të nevojitet.
Fraksion.com