“Faktet flasin vetë”; Ministri Çuçi: 1 ton lëndë narkotike kemi kapur 4 muajt e fundit
Ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi ka reaguar pas sasisë së kokainës të sekuestruar në një kamion që vinte nga Ekuadori, i mbushur me banane.
Çuçi thotë se me sasinë që u sekuestrua sot në Portin e Durrësit shkon në 1 ton sasia e lëndës narkotike e llojit kokainë e kapur në 4 muajt e fundit.
“Faktet flasin vetë. Pas operacionit të sotëm shkon në rreth 1 ton sasia e lëndës narkotike e llojit kokainë e kapur në Portin e Durrësit gjatë katër muajve të fundit. Asgjë nuk është e rastësishme, por dëshmi e luftës pa kompromis kundër krimit të organizuar dhe e aftësisë zbuluese e goditëse të Policisë së Shtetit.
Këto operacione dëshmojnë gjithashtu besimin e lartë të partnerëve tanë ndërkombëtarë në hetimet e përbashkëta, intensive dhe profesionale, në goditjen e rrjeteve të trafikut të drogës. Kjo është një luftë e vazhdueshme, që nuk nis e as përfundon me një operacion. Ne do të vijojmë punën me Policinë e Shtetit dhe të gjitha agjencitë e tjera ligjzbatuese, brenda e jashtë vendit, për ta bërë Shqipërinë një vend më të sigurt”, shkruan Çuçi.
Fraksion.com